Bujqësia është sektori më pak i kredituar nga bankat, pasi shihet prej tyre me shumë risk. Por duket se qeveria ka vendosur të ndryshojë këtë fakt. Në një takim me bankën e Shqipërisë, kryeministri Rama ka deklaruar se për bujqësinë do të rriten financimet, me qëllim edhe uljen e varfërisë.
Por çfarë thonë shifrat?
Sipas të dhënave, për bujqësinë janë dhënë vjet vetëm 6.3 miliardë lekë kredi ose sa 0.8% të totalit të huasë bankare. Siç duket qartazi nga grafiku, mbështetja financiare për këtë sektor ka ardhur duke u ulur në vite.
Por teksa në sektorin bankar privat aksesi i fermerëve ka qenë thuajse i pamundur, a i ka mbështetur me më shumë fonde qeveria? Sa para ka marrë mesatarisht çdo fermer, për të kuptuar edhe ndihmën reale që jepet nëpërmjet skemës kombëtare për bujqësinë?
Në total, për vitin 2024 kanë përfituar rreth 67 mijë fermerë, ndërsa fondi i vënë në dispozicion ka qenë rreth 32 milionë euro. Sipas përllogaritjeve, i bie 477 euro për fermer.
Një shumë e pamjaftueshme për të ndihmuar fermerët dhe sektorin, që sot nuk ndodhet në ditët e tij më të mira. Pesha e bujqësisë në ekonomi ka ardhur duke u tkurrur në vite.
Megjithatë ky sektor jep ende kontributin më të lartë, duke arritur në 16.2% të Produktit të Brendshëm Bruto, punëson 33% të totalit të fuqisë punëtore në vend.
Bujqësia ka hyrë tashmë në cikël rënës, e ndikuar nga njëra anë, nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në anën tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor, sidomos në blegtori.
Problemet janë të shumta dhe nisin nga mungesa e financimeve, kostot e larta, informaliteti e deri tek mungesa e fuqisë punëtore. (A2 Televizion)