Gjatë vitit të shkuar çmimet u shtrenjtua me 4.8 për qind. Në raport me 2022-shin ritmet e rritjes janë ngadalësuar, por gjithsesi treguesi mbetet gati 3 herë më i lartë se periudha para luftës në Ukrainë.
“Politikat e Bankës së Shqipërisë, politika monetare që ka ndjekur për rritjen e normës bazë të interesit, shoqëruar nga qetësimi i tregjeve ku ne importojmë kanë sjellë një lloj zbutjeje të normës së inflacionit. Megjithatë treguesi është ndjeshëm mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind”, deklaroi eksperti Ardian Civici.
Duke ndjekur të njëjtën ecuri të viteve të mëparshme, rritja e inflacionit rezulton të ketë ardhur kryesisht nga shtrenjtimi i çmimeve të ushqimeve dhe pijeve, ndjekur nga qiratë, energjia elektrike, mobiliet, duhani, kafenetë, hotelet dhe restorantet.
“Në gjykimin tim, te ushqimet dhe pijet inflacioni ka mbetur në nivele të larta si pasojë e mbajtjes së çmimeve në nivele të larta nga tregtarët duke zgjeruar marzhet e tyre të fitimit”, u shpreh ekspertja Nunaj.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 12 muajt e lënë pas, ushqimet dhe pijet ishin 9.4 për qind më të shtrenjta se gjatë 2022shit. Treguesi ishte rreth 2.5 herë më i lartë se në vitet 2020 apo 2021.
“Duhet të themi se ritmet e rritjes nuk kanë qenë aq të larta edhe këtu duke shfaqur sinjale për rënie gjatë 2023-shit”, theksoi Civici.
Ndërkohë festat e fund-vitit “i dhanë një dorë”, inflacionit në dhjetor duke kapur nivelin 4 për qind nga 3.9 për qind gjatë nëntorit.
“Kjo është një ecuri normale në fundvit. Ajo që më shqetëson mua janë rimet e rritjes së çmimeve që tejkalojnë edhe Bashkimin Europian”, vijoi Nunaj.
Niveli i lartë i inflacionit bëri që banka e Shqipërisë të rrisë në fund të vitit të kaluar normën bazë edhe me 0.25 pikë për qind, duke e çuar në 3.25 për qind.
(A2 Televizion)