“Unë jam e sigurt se viti 2024 do të jetë më i mirë se viti 2023.”
Nga konferenca ku bëri bilancin e vitit të shkuar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tregoi edhe se ku i mbështet këto pritshmëri pozitive.
“Fillimisht me dorëzimin e Tunelit të Llogarasë që do të përfundojë në fillim të sezonit veror të vitit 2024. Thumanë-Kashar, së bashku me nyjet e rëndësishme do të futet në funksion edhe ai gjatë verës së viti 2024. Në dhjetor 2024 përfundon edhe një tjetër aks kombëtar që është Unaza e Madhe e Tiranës.”
I pranishëm në konferencë, drejtori i Autoritet Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi sqaroi edhe se kur do të nisë zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës.
“Ne kemi parashikuar që brenda këtij viti të zhvillojmë fazën e parë dhe të dytë. Faza e parë është tiranë Rinas dhe ajo e dytë Rinas-Vorë.”
Ndërkohë ministrja Balluku tregoi edhe se kur pritet të nisin fluturimet e para nga aeroporti në ndërtim i Vlorës.
“Në dhjetor 2024 ne nisin fazën e kolaudimit të Aeroportit të Vlorës, për të vijuar më pas me fluturimet e rregullta gjatë vitit 2025.”
Ndonëse rezultatet e para do duhej të kishin dalë që në tetorin e shkuar, ministrja Balluku bëri publik afatin e ri se kur do të merret vesh se sa naftë do të dalë nga Shpiragu, ndërsa shpalosi edhe pritshmëritë nga objektivi “eksportues neto të energjisë në vitin 2023”.
“Tani është duke u kryer faza e parë. Në 31 mars do të kemi edhe rezultat përfundimtare nga Shell. Presim të rrisim kapacitet energjetike me 4 GWh.”
Gjatë një analize të përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku njoftoi se aeroporti i jugut që ishte menduar të ndërtohej në Sarandë, në fakt do të zhvendoset në Gjirokastër. (A2 Televizion)