Gazetari Fatos Çoçoli deklaroi se paketa e re fiskale është më socialja që nga viti 1992.
“Për herë të parë në 36 vjet unë shikoj që thelbi i politikës fiskale të vendit tim nuk është më drejt maksimizimit të grumbullimit të të ardhurave në buxhet, por është drejt ndihmës për të përballuar rritjen shumë të fortë të kostos së jetesës për qytetarët që janë kontribues në këtë buxhet. Edhe pse biznesi është ai që është kontribuesi kryesor për shkak të financave që ai përdor, duhen parë edhe qytetarët që janë forca e punës së këtij biznesi. Kjo është arsyeja pse e kam cilësuar si paketa më sociale e të gjitha paketave, që unë i kam ndjekur që nga viti 1992”, tha Çoçoli në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas tij, paketa e re fiskale përpiqet ta ulë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.
“Hendeku është bërë shumë i madh. Niveli i pabarazisë është ndër nivelet më të larta të botës dhe kjo ka sjellë pakënaqësi shumë të madhe sociale mes qytetarëve tanë”, shtoi gazetari.
Kur u pyet nëse një familje me dy paga mesatare do ia dalin më lehtë apo do ta kenë më të vështirë, Çoçoli u përgjigj: “Shpresojmë t’ia dalin më kollaj. Shpresojmë jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të jetojnë me dinjitet. Është hapi i parë që po bëhet për të ulur konsiderueshëm çmimet e produkteve ushqimore”. (A2 Televizion)