Shqiptarët po trokasin më shpesh në dyert e bankave këtë vit për kredi. Muajin e shkuar ata morën 34.4 miliardë lekë hua nga 33.5 miliardë majin e një viti më parë.
Rritja përllogaritet me gati 3 për qind. Marrë që nga fillimi i vitit, shqiptarët kanë marrë 164.1 miliardë lekë kredi nga 105.6 miliardë në janar-majin e një viti më parë.
“Arsyeja kryesore siç është shprehur edhe Banka e Shqipërisë lidhet me kreditë hipotekore për blerje të pasurive të paluajtshme. Ky është sektori kryesor ku po investohet. Ka një rritje gati 7-fish në raport me periudhat e mëhershme”
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për blerje banesash, në 5-mujorin janar-maj, u morën nga bankat gati 44 miliardë lekë kredi. Kjo shumë është sa 26.7 për qind e huasë së re të dhënë në këtë periudhë kohore.
“E gjithë kjo vjen pasi sektori bankar po e konsideron të sigurt kredi-dhënien për apartamente të reja. Gjithashtu ka ndikuar edhe fakti që sistemi bankar ka sot mjaftueshëm likuiditet”, tha Selim Blliku, ekspert për çështjet ekonomike.
Me ritme edhe më të shpejta se qytetarët, për të hapur biznese të reja apo zgjeruar ato ekzistuese, sipërmarrësit morën mbi 106 miliardë lekë kredi në 5 muaj. (grafik 4) Pjesa tjetër e huave iu takon institucioneve publike.
“Ritmet e kredisë të re te individët janë domethënëse, por është biznesi ai që mbart peshën kryesore në aktivitetin kreditues. Biznesi, veçanërisht ai i orientuar drejt turizmit është shumë optimist”, tha eksperti.
Në një vend ku rrogat ecin me hapa të vegjël, por dëshirat dhe nevojat rriten me sprintin e tregut, shqiptarët po vijojnë të kalojnë rrugën që nuk kërkon shumë pritje: kredia. Ata po blejnë më shumë, udhëtojnë më tepër, dhe ndërtojnë më shumë – jo gjithmonë me kursimet e tyre, por me lekët që ende s’i kanë në xhep. (A2 Televizion)