Shqiptarët po vijojnë të paguajnë rregullisht këstet e tyre të kredive. Norma e kredive me probleme ra në 4.19 për qind në nëntor nga 4.33 për qind në tetor apo 4.37 për qind në shtator. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se portofoli total i kredisë së dhënë nga 11 bankat tregtare në vend ishte 835 miliardë lekë në fund të nëntorit. Nga kjo shumë, 38.7 miliardë ishin hua të papaguara në kohë.
“Kjo rënie historike e kredive me probleme lidhet me një disiplinë më të madhe të qytetarëve dhe bizneseve për të paguar këstet në kohë, por edhe me zgjerimin e portofolit të kredive. Vitet e fundit kemi parë një interes më të madh për hua të reja, veçanërisht në fushën e banesave dhe investimeve të vogla”, tha eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Rënia e treguesit në nivelin më të ulët në 17 vjet ka ardhur sa nga shlyerja në mënyrë të rregullt e kredive të vjetra, aq edhe nga zgjerimi i huave të reja. Qytetarët kryesisht për të blerë shtëpi dhe sipërmarrësit për të hapur biznese të reja... morën gati 374 miliardë lekë kredi në fund të nëntorit të vitit të shkuar.
“Kredia për banesë po bëhet gjithnjë e më dominuese në treg. Nga njëra anë, shumë familje kanë arritur të shlyejnë më shpejt detyrimet ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, ka një fluks të vazhdueshëm të kërkesave për hua të reja për blerjen e shtëpive. Ky është një tregues që ky segment i tregut financiar po qëndron shumë aktiv”, tha eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Në këtë ecuri pozitive, ndikim të rëndësishëm ka pasur veçanërisht shlyerja e huave për blerje të banesave. Kjo në një kohë që kredia e re për këtë qëllim po shënon vetëm rritje, shkruan A2 CNN.
“Nëse bankat vazhdojnë të jenë të kujdesshme dhe të mos zbusin kriteret për dhënien e huave, ky trend pozitiv mund të ruhet edhe në muajt në vijim. Por, nëse ekonomia përballet me goditje të jashtme, si rritje të normave të interesit apo rënie të fuqisë blerëse, atëherë rreziku i rikthimit të kredive me probleme do të mbetet gjithmonë i pranishëm”, tha eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Ekspertë të ekonomisë parashikojë se kjo ecuri do të vijojë për aq kohës a bankat do të mbajnë të shtrënguara kushtet e dhënies së kredive. (A2 Televizion)