"Do rrisim biletat" Transporti Publik kërkon TVSH 6%, aq sa ushqimet bazë të konsumit

Nga Marjo Brakaj
11 Nëntor 2026, 15:27 | Ekonomi

"Do rrisim biletat" Transporti Publik kërkon TVSH 6%, aq sa

Diskutimet për paketën fiskale të vitit të ardhshëm ka vënë në lëvizje dhe përfaqësuesit e transportit.  Drejt kuvendit nisen me një kërkesë, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar te ky sektor të ulet në 6 për qind, siç pritet të ndodhë me ushqimet bazë të konsumit.

“Vlerësojmë se politikat fiskale për vitin 2027 duhet të marrin në konsideratë natyrën e veçantë të transportit publik, i cili, ndryshe nga aktivitetet e zakonshme tregtare, funksionon mbi tarifa të rregulluara, detyrime të përcaktuara për shërbimin dhe kufizime ligjore e administrative në përshtatjen e çmimeve me kostot reale” deklaroi Dashnor Memaj, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban

Kërkesa vjen në një kohë që nga 1 janari taksa e qarkullimit do të hiqet nga çdo litër karburant në pikat e shitjes dhe do të transferohet te detyrimi vjetor i automjetit. Për një autobus ndërqytetas kjo do të thotë një rritje të taksave me rreth 30 mijë lekë në vit nga njëra anë, por një lehtësim me mbi 32 lekë për çdo litër naftë të konsumuar.

“Shoqata kërkon që kjo reformë të mos shoqërohet me krijimin e një detyrimi të ri ose rritje të detyrimeve të operatorëve të transportit publik. Autobusët që përdoren për shërbimin publik të udhëtarëve nuk kanë të njëjtin funksion me automjetet private. Ata realizojnë itinerare të miratuara, frekuenca të përcaktuara dhe kilometra të domosdoshëm për përmbushjen e detyrimit të shërbimit”, shprehet Dashnor Memaj, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban.

Me maratonën e buxhetit dhe paketën fiskale në komisione parlamentare drejt fundit, në kërkesa e shoqatës nuk do të pranohet atëherë biletat e transportit urban dhe ndërqytetas mund të rriten sërish.

“Në mungesë të një norme të reduktuar për transportin publik, kjo masë mund të ushtrojë presion mbi çmimin e biletës ditore dhe të abonimit mujor, duke prekur qytetarët, studentët, pensionistët dhe shtresat në nevojë. Duke marrë parasysh rritjen e kostove të karburantit dhe të shpenzimeve të jetesës, Shoqata vlerëson se çdo rritje shtesë e barrës fiskale mbi transportin publik duhet të analizohet në raport me ndikimin te qytetarët dhe aftësinë financiare të operatorëve”, thotë Dashnor Memaj, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, u vendos kompensimi i transportit publik me 50 lekë për çdo litër karburant për periudhën 5-mujore qershor-tetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos