
Një javë pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor rriti me mbi 40 për qind pagat e magjistratëve, Ministria e Financave kërkon nga “qeverisja e gjyqësorit” të paraqesë list-pagesat e vjetra për të kaluar fondet në llogaritë e punonjësve. Teksa thekson se “rrogat nuk janë bllokuar”, më një letër drejtuar KLGJ e KLP, ministri Petrit Malaj argumenton se “rritja e pagave të magjistratëve ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë”.
“Ministria e Financave, as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhra që vijnë nga autoritete të nderuara të pushtetit gjyqësor, të cilat nuk e kanë autoritetin ekskluziv parlamentar të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e shtetit shqiptar” deklaron Ministria e Financave.
Malaj kërkon që listëpagesat dhe urdhër-shpenzimet e muajit gusht të paraqiten sërish sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik.
“Sapo strukturat e Thesarit të disponojnë listëpagesat sipas parametrave në fuqi, ato do të procedojnë me përparësi dhe që të kryejnë pa vonesë pagesat”, shprehet Ministria e Financave.
Ministria e Financave shprehet e gatshme se nëse nga Kuvendi miratohen ndryshimet e kërkuara, vet institucioni do të marrë menjëherë masat për zbatimin e tyre të plotë.
“Fakti që pagat e institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë janë ekzekutuar normalisht dëshmon këtë. SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe institucione të tjera kanë paraqitur listëpagesat e muajit gusht sipas metodologjisë ekzistuese dhe pagesat e tyre janë kryer rregullisht”, raporton Ministria e Financave.
Me nëntë vota pro, KLGJ rriti në 222 mijë e 425 lekë, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më herët, pagën referuese të magjistratëve, plus shtesën e nivelit të kualifikimit 14 mijë 000 lekë. Po ashtu, u miratua edhe propozimi për kompensimin e rritjes së munguar nga data 1 prill 2023 deri më 31 korrik të këtij viti.
Kjo është hera e parë që Këshilli i Lartë Gjyqësor ndërhyn për të rritur pagat e magjistratëve, duke shkaktuar përplasje edhe me kryeministrin Edi Rama. (A2 Televizion)