Pavarësisht bllokimit të Hormuzit që solli çmimeve të kripura për karburantet, Shqipëria importoi muajin e shkuar naftë më shumë se kurrë ndonjëherë. Në korrik u blenë nga jashtë gati 76 mijë tonë karburant, gati 5 mijë tonë më tepër se një vit më parë. Referuar shifrave, importet e korrikut ishin më të larta edhe se janari e shkurti, kur lufta nuk kishte nisur ende dhe çmimi ishte ende në nivelet e 173-175 lekë për litër naftë.
“Përditshmëria na detyron ta përdorim makinën, sidomos ata që lëvizin për punë. Çmimi i karburantit po ndihet shumë në buxhetin e familjeve, por përdorimi i automjetit është bërë domosdoshmëri”, thonë drejtuesit e automjeteve.

Marrë që nga fillimi i vitit, importet e karburanteve kapën nivelin e gati 408 mijë tonëve, shifër kjo e ngjashme me vitin e shkuar. Krahasuar me vitet 2022 apo 2023, importet janë zgjeruar me gati 100 mijë tonë.
“Në rrugë ka gjithnjë e më shumë automjete dhe kjo do të thotë më shumë shpenzime për karburant. Për ne drejtuesit, çdo rritje e çmimit përkthehet drejtpërdrejt në kosto mujore më të larta”, shprehen drejtuesit.

Nga më pak se 72 dollarë për fuçi në fund të korrikut, çmimi i naftës së papërpunuar bruto në bursë është rritur në mbi 90 dollarë.
Në Shqipëri, ndikimi ndihet shpejt dhe fortë. Një litër naftë shkoi deri në 2019 lekë litri këtë të hënë, nga 176 lekë që ishte me vendimin e fundit të bordit të transparencës. Ndërsa benzina ka arritur deri në 205 lekë për litër nga 166 lekë rreth një muaj më parë.

“Rritja e çmimit është e menjëhershme dhe e ndjejmë sa herë shkojmë të furnizohemi. Një pjesë e madhe e të ardhurave shkon vetëm për naftën. Nëse kjo situatë vazhdon, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të përballojmë shpenzimet e përditshme”, deklaruan ata.

Importi i karburanteve ka shkuar në linjë me shtimin e automjeteve në qarkullim. Vetëm në tre muajt e parë të vitit u sollën nga jashtë mbi 22 mijë automjete, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë. Kjo në një kohë që numri i automjeteve që lëvizin në rrugët e vendit ka arritur në mbi 1.1 milionë. (A2 Televizion)