Më pak autobusë, më shumë pritje, transporti urban paralajmëron reduktim të shërbimit nga 1 shtatori

Nga Marjo Brakaj
31 Gusht 2026, 15:22 | Ekonomi

Rritja e çmimit të naftës po vë në vështirësi transportin publik. Shoqatat e transportit urban dhe interurban paralajmërojnë se nga 1 shtatori do të reduktojnë me 20 deri në 30% flotën e autobusëve në qarkullim, pasi thonë se nuk mund të përballojnë më kostot.

U rrit nafta… qeveria na nuk ndihmon... do të pakësojmë autobusët. Në këtë ekuacion me logjikë të njëanshme, ata që e vuajnë në fund janë qytetarët. Këta të fundit, tashmë “të stërvitur” për pritje të mbërritjes së urbanëve për shkak të transportit publik që le për të dëshiruar, nga 1 shtator do të qëndrojnë më gjatë në stacione.

“Duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20-30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion” deklaron Shoqata Kombëtare e Transportit.

Operatorët e transportit nuk kanë ndër mend të bëjnë pas. Përkundrazi, paralajmërojnë se nga reduktimi mund të shkojë drejt pezullimit.

“Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm. Për sa më lart, kërkojmë trajtimin me prioritet dhe urgjencë të kësaj situate, me qëllim shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të shërbimit të transportit publik dhe rikthimin sa më parë të kapacitetit të plotë operacional”, u shpreh Dashnor Memaj, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban.

Me transportin urban të vetmen alternativë të përballueshme, në mungesë të një trami apo metroje siç edhe kryeqytetet e Rajonit kanë... alternativa e vetme mbeten taksitë. Për ata që nuk kanë mundësi zgjidhja mbetet tek biçikleta apo e ecura.

“Në këto kushte, u kërkojmë institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë me urgjencë, të japin një përgjigje konkrete mbi kërkesat e paraqitura nga operatorët dhe të mundësojnë realizimin e kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit, si dhe vijimin e mbështetjes për periudhën në vazhdim”, theksoi Dashnor Memaj, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban.

Në letrën drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave, Shoqata e Transportit kërkon subvencion 50 lekë për çdo litër naftë për tre muaj të tjerë, pas ndihmës për periudhën mars-qershor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos