Paratë janë paguar, prona është sekuestruar. Ndryshon ligji, më shumë mbrojtje për porositësit

Nga Marjo Brakaj
3 Shtator 2026, 15:05 | Ekonomi

Nga pagesat 100 për qind me kontrata porosie për blerje apartamentesh, deri te sekuestrimet e SPAK-ut... Pas objekteve që kanë rënë në rrjetën e drejtësisë gjatë hetimeve të grupeve kriminale, janë shumë individë e familjarë që gjenden mes pikëpyetjesh: Çfarë do të ndodhë me paratë? A e humbet apartamentin? Kush duhet të dëmshpërblejë? Po në rastet kur ka këste të tjera për të paguar sipas kontratës?

“Është një pronë e blerë nga blerësi, i cili ka paratë e tij të deklaruara, të justifikuara apo përmes kredisë bankare”, thotë për A2 CNN Skënder Tare, ekonomist.

Në praktikën shqiptare, shumica e ndërtimeve realizohen pikërisht me parapagimet e blerësve, pasi sipërmarrësit kryesisht nuk ndërtojnë me kapitalin e vet. Për të mbrojtur investimin e qytetarëve, qeveria ka bërë disa ndryshime në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara.

“Faktikisht, kjo është një iniciativë që qetëson blerësit. Një pjesë e rëndësishme e ndryshimeve lidhet me konstatimin e detyrimeve për blerësit me kontratat e porosisë dhe kontratat me pronarët e truallit. Për këta individë që kanë kryer pagesa ndaj zhvilluesit, drafti përcakton konstatimin e tyre në rastet e kontratave noteriale të regjistruara në ASHK dhe kryerjen e pagesave me bankë, përpara konfiskimit të objektit”, thotë Erjon Alimema, agjent i pasurive të paluajtshme.

Ndryshimet pritet të sjellin një model të ri, të integruar për administrimin e objekteve të konfiskuara, duke synuar t’u jepet zgjidhje problematikave, që nga përfundimi i punimeve të lëna përgjysmë.

“Drafti përcakton gjithashtu se pronarët e truallit do të kenë të drejtë të përfitojnë njësitë që u takojnë sipas kontratave të mëparshme me zhvilluesin, pasi objekti të përfundojë dhe të regjistrohet si ndërtim i ri”, thotë Tare.

Gjithashtu, mundëson njohjen e të drejtave për pagesat e kryera nga blerësit me kontrata porosie dhe kontratat e pronarëve të truallit, të kryera para konfiskimit të objektit.

“Objektet e konfiskuara me vendim gjykate administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Të drejtat për pronarët e truallit dhe blerësit me kontrata porosie”, thotë Alimema.

Rreth 50 milionë euro është vlera totale e pasurive të paluajtshme rezidenciale të konfiskuara që administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Në total, numri i pasurive të paluajtshme të administruara ka arritur në 345 objekte.

Rreth 75 për qind e vlerës totale të pronave rezidenciale të konfiskuara, ose rreth 3.4 miliardë lekë, ndodhen në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos