Biçikleta po fiton gjithnjë e më shumë terren në Tiranë, mes trafikut, kostos së karburanteve dhe problemeve me transportin urban. Qytetarët po e zgjedhin për të kursyer kohë e para, por edhe për një mënyrë më të shëndetshme jetese. Pavarësisht rritjes së përdorimit, Tirana renditet ende larg qyteteve më miqësore për çiklistët.
“E ndiej më mirë veten nga na sportive dhe shmang vonesat”, thotë një përdorues i biçikletës.
Karburantet e shtrenjta nga njëra anë, trafiku nga tjetra... bashkuar me transportin urban që le për të dëshiruar... pa harruar edhe “jetesën e shëndetshme” po i rikthejnë shqiptarët te biçikleta
“E përdor pothuajse çdo ditë, sidomos kur kam lëvizje brenda Tiranës. Është më ekonomike, nuk ke problem parkimin dhe mbi të gjitha nuk je i varur nga trafiku. Në fillim e përdorja herë pas here, ndërsa tani është bërë pjesë e rutinës time të përditshme”, shprehet një qytetar.
Pas hovit të marrë gjatë pandemisë, përdorimi i biçikletës në vend po bëhet edhe më popullor. Vetëm në Tiranë lëviznin mesatarisht 1 mijë e 500 çiklistë çdo ditë
“Ka një rritje të dukshme të interesit për biçikletat. Njerëzit nuk po vijnë vetëm për t’i përdorur në fundjavë apo për sport, por po kërkojnë modele që mund t’i përdorin çdo ditë. Shumë prej tyre e shohin si një mënyrë për të kursyer para, kohë dhe njëkohësisht për të bërë aktivitet fizik”, deklaroi Kleard Rexhepaj, rregullues dhe shitës biçikletash.
Kultura e transportit në kryeqytet është forcuar në favor të biçikletave, veçanërisht pas vendimit për të bllokuar qarkullimin me monopatina dhe skuterë elektrikë.
“Kultura e transportit në kryeqytet është forcuar në favor të biçikletave. Sidomos pas ndryshimeve që kanë ndodhur me monopatinat dhe skuterët elektrikë, një pjesë e qytetarëve janë orientuar më shumë drejt biçikletës. Sot e sheh shumë më shpesh në rrugët e Tiranës dhe është bërë pjesë e mënyrës së lëvizjes së shumë njerëzve”, vijoi Rexhepaj, rregullues dhe shitës biçikletash.
Për ata që kanë zgjedhur lëvizjen me biçikletë, problemet me parregullsitë e korsive, apo mungesën e sinjalistikës kërkojnë më shumë kohë për t’u zgjidhur,.
“Ka ende probleme që duhet të zgjidhen për ta bërë këtë mënyrë transporti më të sigurt. Korsitë në disa zona kanë parregullsi, në raste të tjera mungon sinjalistika ose ato bllokohen nga automjetet. Nëse kërkojmë që më shumë njerëz të përdorin biçikletën, duhet t’u krijojmë edhe kushtet që të lëvizin të sigurt”, theksoi Rexhepaj.
Global Bicycle Index i këtij viti renditi 90 qytete në botë për të parë se cilat janë më miqësoret për çiklistët. Utrecht, në Holandë, kryeson renditjen e qyteteve më miqësore për biçikleta në botë. Tirana renditet në vendin e 67. Objektivi i bashkisë është që Tirana të jetë një kryeqytet, ku biçikleta të jetë një mjet i rëndësishëm i transportit të qytetarëve. (A2 Televizion)