Është çelur këtë të hënë java globale e parasë për vitin 2025. Nën sloganin “Ndiq me mençuri, begati në ardhmëri”, edhe këtë vit kryefjalë do të jetë mbrojtja nga keqbërësit dhe vjedhja e llogarive online, që po shtohen bashkë me zhvillimin teknologjik.
Më mirë të dish apo të kesh? Kjo pyetje që duket si lojë fjalësh që shpesh na është bërë në fëmijëri, ka marrë përgjigje nga disa prej njerëzve më të pasur në botën e sotme kapitaliste.
“Investimi më i mirë që mund të bëni është në veten tuaj... Sa më shumë të mësoni, aq më shumë do të fitoni.” është emëruesi i përbashkët i dakordësisë së miliarderëve amerikanë Warren Buffett, Jeff Bezos, Mark Zuckerberg apo Larry Ellison. Me bazë filozofinë “Paraja rrotullon botën” edhe Shqipëria po përpiqet të bëhet pjesë e hartës globale të popullatave të “edukuara financiarisht”.
“Java Globale e Parasë, e organizuar në mbarë botën nga OECD-INFE, ka si objektiv të ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë të zhvillojnë një mendësi të shëndoshë financiare. Tema e këtij viti, “Think before you follow, wise money tomorrow”, është një thirrje për reflektim dhe qasje kritike ndaj burimeve të informacionit financiar, duke pasur parasysh ndikimin e madh të rrjeteve sociale dhe të teknologjisë në vendimmarrjen financiare të të rinjve”.
Por bota e sotme kapitaliste veç mundësive, ofron edhe rreziqe. Mashtrimi është një prej tyre.
‘Një aspekt thelbësor i edukimit financiar është gjithashtu aftësimi për të dalluar informacionin e besueshëm nga ai i rremë. Historia na tregon raste të shumta kur mungesa e informacionit të saktë dhe mashtrimet financiare kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme për qytetarët”.
Në përpjekje për të shpjeguar rëndësinë e edukimit financiar me qëllim vënien në përdorim në mënyrë të zgjuar të parasë, guvernatori Sejko kërkoi më shumë përpjekje në drejtim të kultivimit të njohurive.
“Njohuritë që do të fitoni sot mund të jenë themeli i sigurisë dhe suksesit tuaj nesër. E ardhmja financiare e Shqipërisë fillon me vendimet që marrim sot, dhe ju, të rinjtë, jeni protagonistët kryesorë të saj”.
Nga viti i ardhshëm mësimor, edukimi financiar mund të përfshihet si lëndë edhe në arsimin fillor në shkollat e vendit. (A2 Televizion)