Nga Beogradi në Milano e Trevizo, bashkë me Vjenën, Budapestin e veçanërisht Stambollin e Dubain e largët... Shqiptarët po shfrytëzojnë Ditën e Verës dhe fundjavën për të udhëtuar jashtë vendit, shkruan A2 CNN.
Vetëm të premten nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” u ngritën për të fluturuar drejt këtyre destinacioneve plotë 82 avionë, shifër kjo e pazakontë për mesin e marsit. “Ka shumë qytetarë që kanë shfrytëzuar fundjavën më të gjatë se zakonisht për të shkuar si në vendet e Rajonit, ashtu edhe te destinacionet në vendet evropiane apo Turqia. Për shkak se jemi jashtë sezonit, çmimet e paketave janë më të lira ndaj edhe shumë kërkesë ka pasur për Dubain”, thotë për A2 CNN Fjorinda Zani, operatore turistike.
Veç fluturime, këtë mes-marsi më shumë dalje nga Shqipëria ka pasur edhe të qytetarëve që kanë udhëtuar në rrugë tokësore. “Ka pasur shumë udhëtime me autobusë jo vetëm në vendet e Rajonit, por edhe në Evropë. Kemi udhëtime me autobus deri në Austri Apo Spanjë. Ka një rritje të ndjeshme të kërkesës”, thotë për A2 CNN Besnik Vathi, kryetar i Shoqatës së Tur-Operatorëve.
Për vendet e Rajonit, çmimet e paketave nisin nga 55 e deri në 120 euro për udhëtimet me autobus. Mesatarisht 400 euro kushtojnë paketat për disa prej detinacioneve kryesore në Evropë, ndërsa në Dubai një paketë mund të gjendet edhe për 600 euro për person. (A2 Televizion)