Merret vendimi historik, shitet “San Siro”

Nga A2 CNN
30 Shtator 2025, 09:10 | Futboll

Merret vendimi historik, shitet “San Siro”

Pas një maratone prej gati 12 orësh, Këshilli Bashkiak i Milanos ka miratuar në orët e vona të natës vendimin historik për shitjen e stadiumit legjendar San Siro te dy klubet e qytetit, Interi dhe Milani. Oferta e përbashkët prej 197 milionë eurosh e dy shoqërive, e cila skadonte pikërisht sot, u pranua me 24 vota pro nga shumica, ndërsa 20 votuan kundër. Vendimi u bë i mundur falë daljes nga salla të këshilltarëve të Forza Italia, gjë që uli kuorumin e nevojshëm për miratim, shkruan A2 CNN.

Stadiumi ikonë, i inauguruar një shekull më parë, do të vazhdojë të shërbejë edhe për ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

Por më pas, ai do të shembet për t’i lënë vendin një impianti të ri, më funksional dhe modern, që pritet të jetë gati për Kampionatin Europian të Futbollit 2032, shkruan A2 CNN.

“Ky është vetëm fillimi i një faqeje të re për San Siron. Kemi hedhur bazat për transformimin e zonës dhe për të shmangur pasiguritë për të ardhmen e saj”, tha zëvendës-kryetarja e Bashkisë së Milanos, Anna Scavuzzo, pas votimit.

Tashmë, topi është në fushën e klubeve, të cilat duhet të bëjnë pjesën e tyre për realizimin e këtij projekti ambicioz që do të ndryshojë përfundimisht fytyrën e futbollit në Milano. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos