Më pak biznese të reja, faktorët që po tkurrin lindshmërinë

Nga Aurora Sulçe
13 Qershor 2024, 16:00 | Ekonomi

Në Shqipëri, çdo vit po krijohen gjithnjë e më pak biznese të reja, duke sinjalizuar për një ekonomi me probleme dhe perspektivë plot pikëpyetje dhe pasiguri. 

Të dhënat tregojnë se shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve të reja në përqindje kundrejt totalit të bizneseve aktive në vitin 2023 ishte 10.5%, më e ulëta që prej 2010-ës, kur raportohet ky tregues nga Instituti i Statistikave. Në total, vitin e kaluar u krijuan 13 mijë biznese të reja, i njëjti nivel me vitin 2020, kur shpërtheu pandemia.

Por në cilët sektorë po krijohen bizneset e reja, për të kuptuar edhe orientimin se ku po zhvillohet ekonomia? Vitin e kaluar u krijuan në total mbi 13 mijë biznese të reja, ku 84% e tyre ishin në sektorin e shërbimeve dhe vetëm 16 për qind në sektorin e prodhimit. Kjo tregon se ka një transferim të ekonomisë nga prodhimi drejt shërbimeve, nxitur nga zhvillimi i turizmit, por edhe zhvlerësimi i fortë i euros. Kjo zhvendosje po reflektohet në uljen e eksporteve të mallrave dhe me uljen e konkurueshmërisë së prodhimit vendas me importin.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në lindshmërinë e bizneseve të reja, që e nxisin apo e frenojnë atë? Në përgjithësi politika fiskale dhe kushtet administrative mund të ndikojnë në një ritëm më të ulët të hapjes së bizneseve të reja dhe sidomos barra rregullatore që ka të bëjë me marrjen e lejeve dhe licencave.

Gjithashtu, bizneset e reja janë të varur shumë burimet e njerëzore dhe aftësitë e tyre. Kjo në kushtet e emigrimit të vazhdueshëm, por edhe plakjes së popullsisë.  Ekonomia e Shqipërisë, edhe pas tre dekadash, ka mbetur në të njëjtën strukturë të zhvillimit të  biznesit, që është edhe agjenti kryesor ekonomik.

85.9% e totalit të ndërmarrjeve në vend janë biznese të vogla, kryesisht familjare me 1-4 të punësuar. Ndërkohë që bizneset e mëdha, me mbi 50 të punësuar përbëjnë vetëm 1.6% të totalit të ndërmarrjeve aktive.  Thënë ndryshe, ne vazhdojmë të hapim bar kafe e dyqane lagjesh në vend të kompanive që prodhojnë e lënë vlerë të shtuar në ekonomi apo dhe një kontribut më të madh në arkën e shtetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos