Për të mobiluar shtëpinë, blerë pajisje elektronike, ikur me pushime apo për nevoja emergjente shëndetësore, shqiptarët morën 51 miliardë lekë ose rreth 530 milionë euro hua nga institucionet financiare jo-banka vitin e shkuar.
Në raport me 2024-shin, kredia e dhënë nga “mikrofinanca” u zgjerua me 10 miliardë lekë apo 24.4 për qind, shkruan A2.
Natasha Ahmetaj,, Zëvendësguvernatore e Dytë e Bankës së Shqipërisë, u shpreh: “Produktet duhet të jenë të përshtatura me kategoritë e familjarëve dhe bizneseve që janë me të ardhura të ulëta. Ndryshimet rregullative nuk kanë përfunduar, do të ketë të tjera që do të kenë në qendër të tyre një ndarje të qartë mes aktivitetit të kreditimit nga aktivitetit të menaxhimit të kredive me probleme, që të mos kemi keqpërdorim të produkteve dhe mungesë transparence. Fokusi është te mbrojtja konsumatore, por pa harruar parimin që nëse je klient, ke edhe detyrimin financiar”.
Pjesa më e madhe e këtyre huave iu dhanë bizneseve, ndjekur nga individët dhe buqit e fermerët.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se tanimë, kredia e dhënë nga mikrofinana po zë rreth 7 për qind të totalit të huave të dhëna gjatë 2025-s.
Arlinda Muja, kryetare e Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare, tha: “Mikrofinanca në Shqipëri ka një zhvillim thelbësor, prej 30 vitesh ndihmon binzeset e vogla, individët për një mirëqenie më të mirë. Sot mikrofinanca është lideri i zhvillimit digjital në Shqipëri dhe po ndihmon jo vetëm në edukimin financiar, por edhe atë digjital shqiptar. Roli i mikrofinancës po njihet gjithnjë e më tepër nga komisioni europian dhe direktivat që po përafrohen do të kenë në fokus edhe mikronfinancën sepse roli i saj në Shqipëri është i rëndësishëm sepse përfaqësojmë 25% të kërkesave për Shqipëri”.
400 përfaqësues të industrisë së mikrofinancës, investitorë dhe ekspertë nga 36 vende të botës u bënë bashkë për të marrë pjesë në Konferencën e 28-të Vjetore të Qendrës së Mikrofinancës, me temë “Mikrofinanca në tranzicion: A është misioni në rrezik?”.
Perlat Sulaj, anëtar Bordi i MFC, CEO i FED Invest, thekson: “Ky është evidenti më i rëndësishëm vjetor i Mikrofinancës në rajonin tonë dhe më gjerë. Janë gati 500 pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete. Kjo është platforma më e rëndësishme për të krijuar partneritete, bashkëpunime. Për të ndarë eksperiencat eksperiencat më të mira dhe teknologjitë më të mira”.
Konferenca përfundoi me thirrjen që sektori i mikrofinancës të ruajë balancën mes objektivave tregtare dhe misionit social, duke vijuar të mbështesë shtresat dhe bizneset që kanë më shumë nevojë për akses financiar. (A2 Televizion)