Ministria e Financave nis konsultimet publike për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe metodologjinë e re të taksimit

Nga Marjo Brakaj
3 Tetor 2025, 16:45 | Ekonomi

Ministria e Financave nis konsultimet publike për rivlerësimin e

Ministria e Financave zhvilloi sot disa takime me grupet e interesit për konsultimin publik të projektligjit “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” dhe projektvendimit “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”.

Takimet konsultative u zhvilluan me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit, si dhe me përfaqësues të kompanive që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme.

Ministri i Financave, Petrit Malaj vlerësoi rëndësinë e procesit të konsultimit publik të këtyre nismave ligjore dhe theksoi nevojën e dialogut me palët e interesuara, në mënyrë që të ketë një zbatim sa më eficient të tyre, një përfitim sa më të lartë nga qytetarët dhe nga bizneset e lidhura me sektorin e pasurive të paluajtshme.

Në këtë kuadër, ministri ftoi përfaqësuesit e grupeve të interesit të japin mendimet dhe komentet e tyre profesionale, proces ky që ndër të tjera synon të rrisë transparencën, parashikueshmërinë e politikave tatimore, e ndaj dhe partneriteti në adresimin e drejt të problematikave do të ishte mjaft i rëndësishëm.

“Metodologjia e re e llogaritjes së taksave vendore mbi pasurinë e paluajtshme, çmimet e reja të referencës dhe rivlerësimi do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026. Kjo do t’i japë individëve dhe bizneseve kohë të mjaftueshme gjatë vitit të ardhshëm për të vlerësuar pasuritë e tyre bazuar në vlerën e tregut, dhe për të kryer pagesat e taksave mbi këto vlera”, u shpreh Malaj.

Ministri theksoi se projektligji “Për rivlerësimin” synon të krijojë një kuadër ligjor që u mundëson individëve dhe personave juridikë përshtatjen e vlerës së pronave të tyre me atë të tregut, në kushtet kur çmimet e pasurive të paluajtshme janë në rritje.

Përvoja nga ligjet e mëparshme ka treguar se qytetarët kanë pasur interes të lartë për të përfituar nga mundësia e rivlerësimit, gjë që është reflektuar në rritjen e numrit të aplikimeve dhe transaksioneve të regjistruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Sa i përket çmimeve të referencës, ministri i Financave vuri në dukje se ato nuk janë rishikuar që nga viti 2016, me përjashtim të bashkisë Tiranë, ndërkohë që çmimet e tregut janë rritur ndjeshëm.

Për këtë arsye, tha Malaj, është hartuar një paketë e re çmimesh reference nga një grup i gjerë pune, mbi bazën e një metodologjie që i afron më shumë me vlerat e tregut.

Për nxjerrjen e tyre janë analizuar 16 800 transaksione në 12 qarqe të Shqipërisë, për një periudhë 3-vjeçare. Gjithashtu, janë shtuar zona të reja, gjithsej 119 zona nga 65 që janë aktualisht, me synim që çmimet referuese të reflektojnë më mirë vlerën e tregut në çdo zonë të caktuar. Këto zona shoqërohen me hartat përkatëse, ku janë përcaktuar kufijtë dhe çmimi mesatar për metër katror sipërfaqe banimi.

Për të lehtësuar punën e strukturave vendore të tatimeve dhe tarifave, është propozuar që këto harta të publikohen edhe në mënyrë elektronike në faqen zyrtare të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor/ASIG.

Takimet e sotme me grupet e interesit u zhvilluan në vijim të procesit të konsultimit publik për këto dy nisma ligjore, i cili nisi me publikimin e tyre gjatë muajit korrik 2025 në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos