Nafta në Shqipëri kushton më shumë se në Monakon e miliarderëve

Nga Marjo Brakaj
22 Gusht 2025, 15:09 | Ekonomi

Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i pesti në Evropë dhe i shtati në botë për çmimin më të lartë të naftës. Në pikat e karburanteve një litër naftë kushton mesatarisht 174 lekë.. me kursin aktual të këmbimit 2.08 dollarë.

Në Ballkanin Perëndimor, në vendin e dytë renditet Serbia me një litër naftë që shitet për rreth 1.9 dollarë në pikat e karburanteve. Krahasuar me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut apo Kosovën, lënda djegëse në Shqipëri kushton gati 2-fish më shumë.

“Krahasuar me Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi ka shumë diferencë. Jemi shumë më të shtrenjtë.”, thotë një drejtues automjeti.

Në Evropë, çmim më të shtrenjtë të naftës ka Islanda, Lihtenshtejni, Zvicra dhe Danimarka. Shqipëria, e renditur e pesta ndërkohë le pas shtete si Irlanda apo Monako e njerëzve më të pasur të botës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.5 euro.

“Na ka ikur truri. Janë rritur çmimet. Nuk është e këndshme po... Shumë të shtrenjta në krahasim me rrogat që marrim”, thotë një tjetër.

Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është i përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria. Në bursë, çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë në 689 dollarë për ton nga 750 një muaj më parë. Po ashtu, dollari vijon të zhvlerësohet. Çmimet e karburanteve rrjedhimisht do duhej të ishin më të lira.

“I bëjmë rritje kryeministrit të hapi rafineritë që të ulet çmimi. Janë çmimet më të larat në vitet e fundit.”

Shqipëria ka importuar këtë vit më shumë karburant se kurrë më parë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në harkun e muajve janar-qershor u blenë nga jashtë mbi 345 mijë tonë karburant. Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, importet janë zgjeruar me mbi 44 mijë tonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos