Ende pa kaluar dy muaj nga hyrja në fuqi, qeveria ka ndryshuar buxhetin e këtij viti. Kjo për shkak të ndarjes së “Ekonomisë” nga “Financat”, krizës së fasonëve dhe pritshmërive edhe më optimiste për të arkëtuar më tepër para.
Nga rreth 676 miliardë lekë fillimisht, të ardhurat në buxhet pritet të zgjerohen me 1.5 për qind për të shkuar në mbi 686 miliardë lekë. Po ashtu edhe shpenzimet nga 737.4 miliardë lekë, planifikohet të shkojnë në 744 miliardë lekë në fund të vitit.
“Siç është thënë edhe më herët, vlerësohet se ekonomia performoi mirë gjatë vitit të kaluar dhe në mbyllje të vitit buxhetor 2023 rezulton se treguesit kryesorë makro-ekonomikë patën përmirësime të ndjeshme, duke vijuar një trend pozitiv, që presim të jetë i tillë edhe gjatë vitit 2024,” deklaroi, ministër i Financave, Ervin Mete.
Nga ndryshimet në buxhet një pjesë e fondeve të Ministrisë së Finanacve do t’i kalojnë asaj të Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, ndërsa 4 miliardë lekë do tu vihen në dispozicion në formën e garancive shtetërore sipërmarrjeve në sektorin e manifakturës. Gjithashtu Ministria e Financave ka orientuar një pjesë të fondeve te ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, menaxhimi i mbetjeve, turizmi dhe rikonstruksioni i godinave të shkollave të arsimit profesional.
“Krahas buxhetimit të ristrukturimit të ministrive, përmes këtij akti normativ po mbështesim edhe një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë në mbështetje të bizneseve të sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, kjo edhe për të përballuar efektet e goditjeve në këtë sektor. Ky instrument synon mbështetjen e bizneseve nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë.”
Me ndryshimet, Ministria e Financave përllogarit që deficiti buxhetor, pra raporti mes të ardhurave dhe shpenzimeve të ulet në rreth 57 miliardë lekë nga mbi 61 miliardë të planifikuara gjatë hartimin të buxhetit 2024. (A2 Televizion)