Manifaktura kërkon ndihmë, Shqipëria mund të prodhojë veshje për ushtritë e NATO-s

Nga Marjo Brakaj
19 Gusht 2026, 16:29 | Ekonomi
 

Manifaktura kërkon ndihmë, Shqipëria mund të prodhojë

Në një periudhë kur situata gjeopolitike ndërkombëtare është e tensionuar, ndërsa vendet e NATO-s do të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen përfshirë armët dhe infrastrukturën, bizneset shqiptare kërkojnë daljen në masë në tregjet ndërkombëtare të veshjes ushtarake “Made in Albania”.

Shqipëria mund të prodhojë veshje për ushtritë e shteteve anëtare të NATO-s. Në një kohë që zhvillimet gjeopolitike po ridimensionojnë përparësitë e sigurisë në mbarë botën, sektori i manifakturës në vend duket se ka një dritare mundësie. Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve që prej më se dy vitesh vuan pasojat e zhvlerësimit të euros është gati të hyjë në një fazë të re zhvillimi.

“Kohët e fundit, si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike dhe objektivit të shteteve anëtare të NATO për të investuar rreth 5% të GDP-së në mbrojtje, është rritur ndjeshëm interesi për prodhimin e artikujve ushtarakë (veshje dhe këpucë) në Shqipëri. Me një strategji të mirëfilltë dhe bashkëpunim me qeverinë, Shqipëria mund të shndërrohet në një pol rajonal për prodhimin e artikujve ushtarakë” thotë Sektori i Manifakturës.

Për më tepër, pozicioni gjeografik dhe kapacitetet prodhuese janë avantazhe të pakontestueshme. Por, sipas përfaqësuesve të sektorit, potenciali i vërtetë do të shfrytëzohet vetëm me një strategji të qartë dhe me mbështetje institucionale për ngritjen e një “Akademie Ekselence” për prodhimin e veshjeve ushtarake.

“Ekselenca nuk është gjë tjetër veçse krijimi i një poli studimi, kërkimi dhe certifikimi të mallrave. Pra në thelb do të krijohen, realizohen prototipe të reja modelesh që do të jenë në shërbim të biznesit më qëllim hyrjen në treg me modele të reja”, u shpreh Edvin Prençe, kryetar “Proexport Albania”.

Ky është objektivi i bizneseve në sektorin e manifakturës, të cilët duan të shkëputen nga varësia ndaj kontratave të huaja, dhe ta bëjnë vetë të plotë të gjithë ciklin duke filluar me prodhimin, modelimin e produkteve, deri te shitja e tyre.

“Shumë fokus do të marrë edhe trajnim i personelit ekzistues dhe burimeve të reja që do të bëhen pjesë e tregut. Pa mirë-kualifikim nuk mund të pretendojmë transformim”, theksoi Prençe.

Në një botë ku prodhimi i artikujve ushtarakë nuk është më vetëm çështje sigurie, por edhe zhvillimi ekonomik, Shqipëria ka një rast historik për të qenë pjesë e zgjidhjes. Nga njëra anë, kjo qasje do t’i jepte frymëmarrje sektorit të veshjeve, i cili aktualisht përballet me sfida të kursit të këmbimit dhe kërkesave në rënie. Nga ana tjetër, do të sillte më shumë siguri në kontrata, më shumë vende pune dhe më shumë vlerë të shtuar në ekonomi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos