Qytetarët janë kthyer në shembull, faturat e energjisë nuk po i paguajnë ujësjellësit

Nga Marjo Brakaj
18 Gusht 2026, 17:16 | Ekonomi

Një pjesë, nga frika, e të tjerë të ndërgjegjësuar, qytetarët shqiptarë po i paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike. Kjo ka bërë që detyrimet e prapambetura të abonentëve familjarë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të bien në 44.5 miliardë lekë në mars, nga 45.1 miliardë në fund të vitit 2025.

“Këtë muaj pagova 80 mijë lekë. Kur marrim pensionin, i heqim mënjanë ato për dritat, se për t’u paguar janë. Na ndihmojnë pak edhe fëmijët.”

Megjithatë, nuk mungojnë as qytetarët, kryesisht të moshuar, që e kanë të vështirë të shlyejnë faturat dhe, rrjedhimisht, përballen edhe me kamatvonesat.

 “Kisha dy muaj pa paguar se nuk kisha lekë. Ato kalojnë me kamata dhe sot i pagova se nuk kisha çfarë të bëja.”

Në linjë me qytetarët, edhe bizneset po i paguajnë rregullisht faturat e energjisë. Në fund të marsit, detyrimet e prapambetura ndaj OSHEE-së ranë në më pak se 8.8 miliardë lekë, nga mbi 9.4 miliardë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por, ndërsa familjarët dhe bizneset kanë reflektuar, janë institucionet jobuxhetore, ku përfshihen ujësjellësit, që po vijojnë të mos paguajnë për energjinë e konsumuar. Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se detyrimet e tyre u zgjeruan në gati 21 miliardë lekë.

Për shkak të mospagimit në kohë, numri i faturave me kamatvonesa në mars arriti në gati 1.1 milionë, me vlerë gati 214 milionë lekë.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos