Nga cigaret te karburantet, bashkë me birrën e kafen.... shqiptarët e të huajt e ardhur për turizëm po shtojnë importet e “produkteve të dëmshme” për shëndetin e mjedisin. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në gjysmën e parë të vitit u importuan gati 1 mijë e 700 ton cigare gati 200 tonë më shumë se periudha e shkuar.
“Janë shtuar shumë të rinjtë që blejnë duhan. Ka edhe turistë. Ka edhe nga ata që blejnë cigare të hapura”, tregon për mikrofonin e A2 shitësi në një kioskë.
Me gjithë shtrenjtimin, në vend po importohet karburant si kurrë më parë. Importet e lëndës djegëse deri në fund të qershorit kapën nivelin e mbi 332 mijë tonëve.
Me ritme të ngjashme me cigaret janë rritur edhe importet e kafesë. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në harkun e muajve janar-qershor u ble nga jashtë një sasi prej 5 mijë e 392 tonë kafe, rreth 700 tonë më tepër se një vit më parë.
Për shkak të akcizës mbi prodhimin vendas, në vend këtë vit është futur më tepër birrë. Importet e pijes alkoolike në gjysmën e parë të vitit e parë të vitit arritën në mbi 25 mijë tonë.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se si pasojë e akcizës mbi këto produkte, në gjashtë muajt e parë të vitit buxheti i shtetit arkëtoi 33.5 miliardë lekë, 1.5 miliardë lek më shumë se një vit më parë. (A2 Televizion)