Zgjerimi i Prodhimit të Brendshëm Bruto në këto nivele do të ishte vetëm një lajm i mirë dhe kaq, nëse në të do të kontribuonin të 11-të degët ekonomisë. Por, kjo nuk po ndodh! Ndërtimi apo turizmi që zëvendësoi shitblerjen e pronave në hierarkinë e peshës së rritjes ekonomike nuk mjaftojnë.
Adrian Civici, ekspert për ekonominë, shprehet për A2CNN: “Tashmë kërkohet ajo që njihet si “rritje ekonomike cilësore.” Rritje ekonomike cilësore do të thotë që kontributi në rritjen ekonomike të vijë nga sektorë me performancë të lartë, siç janë sektorët industrialë me teknologji moderne, ato financiare, bankare, industria etj.”.
Shqipëria duhet të tejkalojë veten, të paktën në një drejtim, atë të modelit ekonomik. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se së paku deri në 2029-n, rritja nuk do e kalojë nivelin 3.5 për qind.
Me vendin që për shkak të politikave të ndjekura rrezikon të ndërtojë mbi kokën e vet një tavan që nuk e lejon të rritet më shumë, ka shumë pak vend për optimizëm për më shumë mirëqenie.
“Shqipëria, bashkë me vendet e tera në zhvillim duhet që të ketë rritje ekonomike në të paktën 5.8 për qind për të dhënë impuls te pagat dhe standardi i jetesës”, shprehet Civici.
Më optimiste janë pritshmëritë në drejtim të çmimeve. Pas gati 3 vitesh krizë, inflacioni sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar do të qendrojë brenda objektivave të dëshiruar në 5 vitet e ardhshme. Po edhe ky skenar rrezikohet nga zhvillimet që po ndodhin në botë.
“Një përshkallëzim i konfliktit në Lindjn e e Mesme do të përsëriste atë që ndodhi pas konfliktit të armatosur Rusi-Ukrainë. Destabilizim tregjesh dhe rikthim të valëve të inflacionit në gjithë botën, përfshirë Shqipërinë”, tregon Civici.
Sipas Bankës Botërore, me një rritje ekonomike prej mesatarisht 4 për qind, Shqipërisë do t’i duhen rreth 36 vite që të arrijë mesataren e të ardhurave mesatare për frymë të vendeve të BE-së. Ndërkohë, nëse do të ndiqet kjo ecuri e shënuar deri në gjysmën e parë të vitit, vendit do t’i duhen më shumë se katër dekada për të arritur këtë objektiv. (A2 Televizion)