Rritja ekonomike ngadalësohet. Vetëm 3.51% në tremujorin e dytë, zbehet shkëlqimi i turizmit

Nga Marjo Brakaj
29 Shtator 2025, 17:27 | Ekonomi

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.51 për qind në tremujorin e dytë të vitit. Zgjerim i Prodhimit të Brendshëm Bruto në prill-qershor rezulton të jetë ngadalësuar në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

Po ashtu, edhe me tremujorin e parë 2025.

Elton Haxhi, ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë, shprehet për A2CNN: “Nuk kemi të bëjmë me ndonjë surprizë. Ky nivel ishte i pritshëm si pasojë edhe e shtimit të hyrjeve të turistëve në atë periudhë për të pushuar në vend”.

Kontributin kryesor në këtë ecuri e dha rritja e pagave në administratën publike, ndjekur nga taksat dhe turizmi me shitblerjen e pronave. E kundërta ndodhi me sektorët e punësimit masiv si bujqësia dhe industria që u tkurrën respektivisht me 0.46 dhe 0.18 për qind.

“Fakti që mbështetemi në faktorë sezonalë nuk na bën mirë. Rënia e treguesve të industrisë dhe bujqësisë duhet analizuar. Të dhënat janë shqetësuese”, tha Haxhi.

Sipas metodologjisë tjetër të Institutit të Statistikave, asaj të shpenzimeve, në rritjen ekonomike në tremujorin e dytë të vitit kontributin kryesor e dha administrata publike me rritjen e pagave. Në nivele të ngjashme paraqitet edhe konsumi i popullatës, ndikuar nga të huajt e ardhur si turistë. Me më pak se 1 për qind kontribuuan eksportet e mallrave dhe me 3.26 për qind importet.

“Ashtu siç edh është thënë, eksportet janë në krizë. Nga ana tjetër importet janë rritur vetëm si pasojë e shtimit të numrit të turistëve”, deklaroi Elton Haxhi.

Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë presin që ekonomia e vendit të rritet mesatarisht me 3.8 për qind këtë vit. Disi më pesimiste janë institucionet Ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe ajo Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që presin zgjerim të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mesatarisht 3.5 për qind.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos