Raporti i DASH për biznesin: Paratë e drogës dhe korrupsioni, pengojnë investimet amerikane

Nga A2 CNN
28 Shtator 2025, 13:16 | Ekonomi

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2025. Raporti vlerëson se situata makroekonomike e Shqipërisë është e qëndrueshme. Në vitin 2024, rritja ekonomike arriti në 4 përqind, e nxitur nga rritja e fuqishme në sektorët e turizmit dhe pasurive të paluajtshme dhe politikat e kujdesshme makroekonomike. Dash vlerëson gjithashtu se inflacioni ka pësuar një rënie të ndjeshme në 2024-ën në 2.2% duke mbetur brenda objektivave të Bankës së Shqipërisë. Po ashtu edhe uljen e borxhit publik në 55 përqind në vitin 2024, falë konsolidimit fiskal dhe politikës monetare të kujdesshme.

Megjithatë DASH thekson se pavarësisht qëndrueshmërisë dhe rritjes së qëndrueshme të demonstruar nga ekonomia shqiptare në vitet e fundit, zhvillimi ekonomik mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar, konkurrencës së pandershme, mungesës së fuqisë punëtore për shkak të emigrimit, produktivitetit të ulët dhe informalitetit të lartë.

"Raporte për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, me investitorët që shpesh raportojnë raste ku korrupsioni shtyn ose pengon investimet në Shqipëri. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka reduktuar mundësitë e konkurrencës, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP mbeten shqetësime të vazhdueshme.

Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje komerciale të ashpra me entitete publike dhe private, përfshirë disa që kanë shkuar deri në arbitrazh ndërkombëtar."

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë e Shqipërisë është vetëm rreth një e katërta e mesatares së BE-së thotë DASH, dhe për t’iu afruar nivelit të ekonomisë së BE-së, vendi duhet të ndërmarrë reforma të thella strukturore.

DASH raporton se falë kuadrit ligjor të shëndoshë Shqipëria ka përparuar në kufizimin e korrupsionit në nivele të ulëta duke digjitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Megjithatë, investitorët e huaj vazhdojnë ta perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin sfidat e vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri për shkak të korrupsionit në sektorin publik, gjyqësorin dhe prokurimet publike.

Investimet direkte nga SHBA në Shqipëri arritën në 382 milionë dollarë në fund të vitit 2024, një rritje krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, raporti vëren se ky nivel është ende modest dhe përfaqëson një pjesë të vogël të kapitalit të huaj në vend, për shkak të klimës së pasigurt për investime.

Bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri shpesh zgjedhin të përfshijnë klauzola të arbitrazhit ndërkombëtar në kontrata, për të shmangur zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes sistemit vendas të drejtësisë, të cilin e konsiderojnë të ngadaltë, joefektiv dhe të ndikuar politikisht. Pavarësisht përparimeve të kufizuara në digjitalizimin e shërbimeve dhe luftën kundër korrupsionit në nivele të ulëta, Shqipëria mbetet një ambient sfidues për investitorët ndërkombëtarë.

Për sa i përket mjedisit politik dhe sigurisë Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se ‘Dhuna politike është e rrallë dhe mjedisi i sigurisë është i qëndrueshëm'.  Zgjedhjet kombëtare të majit 2025 ishin paqësore. Shqipëria në përgjithësi ka inkurajuar stabilitetin në rajon dhe mban marrëdhënie miqësore me vendet fqinje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos