Shumë “uri” për kredi, shqiptarët morën gati 273 miliardë lekë hua deri në gusht

Nga Mario Brakaj
29 Shtator 2025, 17:19 | Ekonomi

Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë morën gati 273 miliardë lekë kredi deri në gusht. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me janar-gushtin e vitit të shkuar, huatë janë zgjeruar me 20.2 miliardë lekë apo 8 për qind.

Artur Ribaj, pedagog dhe ekspert i sistemit bankar, shprehet për A2CNN: “Kjo rritje tregon një besim më të madh të qytetarëve dhe biznesit ndaj sistemit bankar, por edhe një nevojë të shtuar për financim në një periudhë me inflacion të ulët dhe interesa më të qëndrueshme”.

Selim Blliku, ekspert për çështjet ekonomike, thekson: “Arsyeja kryesore, siç është shprehur edhe Banka e Shqipërisë, lidhet me kreditë hipotekore për blerje të pasurive të paluajtshme. Ky është sektori kryesor ku po investohet. Ka një rritje gati 7-fish në raport me periudhat e mëhershme”.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për blerje banesash, në 8-mujorin janar-gusht, u morën në banka nga qytetarët mbi 37 miliardë lekë kredi. Kjo shumë është sa 43.5 për qind e huasë së re të dhënë në këtë periudhë kohore.

Selim Blliku deklaron: “E gjithë kjo vjen pasi sektori bankar po e konsideron të sigurt kredi-dhënien për apartamente të reja. Gjithashtu, ka ndikuar edhe fakti që sistemi bankar ka sot mjaftueshëm likuiditet”.

“Është një rritje që vjen edhe si reflektim i urbanizimit dhe migrimit të brendshëm. Shtimi i ndërtimeve ka gjeneruar kërkesë të lartë për kredi banesash, veçanërisht në qytetet e mëdha”, shpjegon Ribaj.

Me ritme edhe më të shpejta se qytetarët, për të hapur biznese të reja apo zgjeruar ato ekzistuese, sipërmarrësit morën mbi 182 miliardë lekë kredi në 8 muaj. Pjesa tjetër e huave iu takon institucioneve publike.

“Kredia për biznes po mbështetet nga garanci më të qarta dhe analiza më të thelluara të riskut. Bankat po tregojnë fleksibilitet në segmentin e SME-ve”, shprehet Ribaj.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se vetëm muajin e shkuar shqiptarët morën gati 41 miliardë lekë kredi.

“Vendosa të blej një apartament të vogël. Me qira po shpenzoja thuajse aq sa kësti i kredisë. Mora një kredi për të zgjeruar dyqanin. Kushtet ishin më të favorshme këtë vit”, shprehet një qytetar.

“E kam marrë për arsye personale, për një kurs profesional jashtë. Banka më dha një afat të mirë për kthimin”, tregon një tjetër.

Një ndër arsyet që po ndikon në zgjerimin e kredidhënies në vend është ulja e interesave. Banka e Shqipërisë uli me 0.25 për qind, duke e çuar në 2.5 për qind normën bazë të interesit për lekun në fillim të korrikut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos