Gazetari Fatos Çoçoli, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, tregoi se sa do të preket vendi ynë nga konflikti SHBA-Iran.
“Nafta ishte rritur pak ditë para se të ndodhte konflikti, u rrit vetëm nga paralajmërimi. Nga 64$ për fuçi shkoi në 77. Tani, brenda 3-4 ditësh u rrit me 13%. Irani nuk ka më ato fuqi prodhuese të naftës që ka patur, edhe pse rezervat i ka të jashtëzakonshme. Ka 12% të rezervave botërore të naftës. Është vendi i katërt në vendet e OPEC me prodhim më të lartë. Por, prapëseprapë nuk mund të ndikojë aq shumë. Pse? Sepse vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë rritur. Kanë qenë me 14% në botë, në vitin 1979, tani janë 19%. Është një situatë që ndikimi në ekonominë botërore do të jetë më i paktë sesa 47 vite më përpara. Nga ana tjetër, janë marrë disa masa. E thonë vetë ekspertët. Kur flasim për kontratat e ardhshme të naftës e kuotojnë shumë më pak nga ç’e kishin kuotuar 47 vite më parë. Këto janë argumente kokëfortë që do prekemi, por jo aq fort sa ç’ ndodhi kriza botërore e 47 viteve më përpara e energjisë. Në këtë kuptim, është mirë që edhe shoqata jonë e karburanteve t'i bëjë pak hesapet sepse një rritje e menjëhershme me 5% nuk është pak për ekonominë tonë. Ne varemi krejtësisht nga nafta e importit dhe pastaj nafta ka atë efektin që e dimë të gjithë në çdo lloj ekonomie të botës. Ka efekt domino, ka efekt shumëfishues në ekonomi. Sot që flasim, jo vetëm për ekonominë botërore, por ndoshta edhe për llogaritë tona, në rast se nafta me një konflikt që zgjat një muaj do të shkonte në 100$ fuçia, pra praktikisht një rritje rreth 24% me atë që është sot, atëhere inflacioni në vendin tonë, si dhe në çdo vend të botës, varet kryekëput nga nafta, për faktin që edhe ne varemi shumë nga vende që kanë shumë pak naftë, siç është Italia, partneri jonë kryesor tregtar. Pra, është një efekt i tillë që neve do të na dëmtojë, por jo aq fort sa ç’ është dëmtuar bota 47 vite më përpara”, tha Çoçoli.
Sipas tij, mund të prekemi më pak sesa ndikoi konflikti Rusi-Ukrainë në rritjen e çmimeve: “Konflikti që hapi Putin me invazionin e tij në shkurtin e katër viteve më përpara solli një ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit, që nuk është rasti këtu. Është rreziku me Ngushticën e Hormuzit, por ama nuk pati atë rritje të fortë çmimi i drithit, çmimi i hekurit. Pra, këto janë gjëra që janë të domosdoshme sidomos për industrinë tonë të ndërtimit dhe nuk është se do prekemi me këtë krizë të sotme të luftës në Iran. Nuk ka vend për panik, ama duhet të ruhemi. Sidomos të bëhet ç’ është e mundur nga qeveria që rezervat strategjike të naftës të jenë të siguruara, të mos kemi si të thuash mangësi në furnizim, sepse rreziku aty edhe është”.
(A2 Televizion)