“Paketa e solidaritetit” për fundvit, rishpërndahen 20 miliardë lekë. Nuk përfshihen pensionistët

Nga Marjo Brakaj
14 Dhjetor 2023, 13:04 | Ekonomi

Qeveria ka ndryshuar buxhetin për të dytën herë për këtë vit. Janë 20 miliardë lekë që do të rishpërndahen në atë që u prezantua nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, si “Paketa e Solidaritetit.”

Kjo masë nuk do të përfshijë të moshuarit, por vetëm 285 mijë përfitues të ndihmës ekonomike, aftësisë së kufizuar, invalidët e punës dhe ata që marrin pension familjar, që do të marrin nga 5000 lekë.

“Ndërsa për disa kategori të posaçme, të cilat kanë përfituar aktualisht, siç kanë qenë invalidët e punës apo përfitues të pensioneve familjare, praktikisht tani dyfishohet masa. Por, edhe brenda kategorive që mbështeten me këtë akt normativ, për kategori të posaçme siç janë familjet me ndihmë ekonomike, por me fëmijë, edhe ata marrin dyfishin e masës, që do të thotë marrin 10 mijë lekë të reja”, tha Mete.

Nga “Paketa e Solidaritetit” do të përfitojnë edhe 1144 punonjës të administratës, pjesë e procesit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Ata do të marrin një pagë shtesë, ndërsa punonjësve të policisë do t’u rimbursohen shpenzimet për ushqime.

Pas rishikimit të buxhetit, 2 miliardë lekë do t’u ndahen edhe 61 bashkive për të shlyer detyrimet e prapambetura: “Si çdo fundviti, në varësi të ecurisë së investimeve apo projekteve, ne optimizojmë apo përpiqemi të optimizojmë shpenzimet dhe praktikisht rialokimet bëhen nga projekte të huaja apo të brendshëm, që për shkak të ecurisë vlerësohet që është më efektive të rialokohen në projekte me ecuri më pozitive”.

Një pjesë e fondeve prej 20 miliardë lekësh që do të rishpërndahen në prag të fundvitit do të shkojnë për investime publike, kryesisht rrugë e ujësjellësa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos