Tregtia e jashtme me sinjale mikse, eksportet “marrin frymë”, por stuhia për ekonominë nuk ka kaluar

Nga Marjo Brakaj
18 Maj 2026, 14:45 | Ekonomi

Pas nisjes në tatëpjetë, eksportet vijuan të “ngrinin kokë” edhe në prill për të tretin muaj me radhë. Gjatë muajit të shkuar kompanitë vendase çuan në tregjet e huaja 35 miliardë lekë mallra. Në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, eksportet janë zgjeruar me 16.9 për qind.

“Duket sikur situata ka kaluar, por nuk është kështu. Ne jemi në qendër të ciklonit. Madje nëse kjo situatë vijon ne do të kemi një dëm të pariparueshëm të ekonomisë”, thotë për A2 CNN Alban Zusi, Shoqata e Eksportuesve shqiptarë.

Nxjerrja e më shumë mineraleve e karburanteve nga nëntoka, bashkë me shtimin e eksporteve të energjisë si pasojë e reshjeve patën ndikimin kryeson në gjallërimin e tregtisë së jashtme. Ndikim pozitiv dhanë edhe prodhimet e stinës të cilat shkuan për eksport. E kundërta ndodhi me sektorin e manifakturës që regjistroi një tjetër rënie me 1.8 për qind. Kjo si pasojë e euros që vijon tatëpjetën.

“Kjo tregon se sektorët tradicionalë vijojnë të jenë nën presion, kryesisht për shkak të dobësimit të kërkesës në tregjet europiane dhe rritjes së kostove për bizneset vendase”, shpjegon Zusi.

Lehtë u gjallëruan edhe importet gjatë muajit të shkuar vlera e të cilave arriti në 79 miliardë lekë nga 74 miliardë prillin e një viti më parë. Megjithatë ky nuk mund të konsiderohet si një lajm i mirë në kushtet që eksportet ende janë në krizë.

“Rritja e importeve lidhet me konsumin e brendshëm dhe nevojën për furnizim të ekonomisë. Megjithatë, kjo thellon diferencën tregtare dhe tregon varësinë e lartë nga tregjet e huaja”, thotë Zusi.

Muajin e shkuar Shqipëria eksportoi më shumë produkte drejt Kosovës dhe Gjermanisë. E kundërta ndodhi me Italinë dhe Spanjën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos