“Vetëm 1 në 6 turistë fjeti”, Shqipëria turistike rrit vizitorët, por jo netët e qëndrimit

Nga Marjo Brakaj
18 Maj 2026, 14:51 | Ekonomi

Vetëm një në gjashtë turistë që hyri në Shqipëri në tre muajt e parë të vitit fjeti në një nga hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira të vendit. Kjo të paktën sipas të dhënave zyrtare. Nga rreth 1.7 milionë vizitorë të huaj, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se pak më shumë se 270 mijë prej tyre u akomoduan për të paktën një natë.

“Kjo tregon vërtetë situatën dhe siç e kemi thënë më shumë ne jemi vend transit. Kjo mund të vijë edhe si pasojë e shtimit të numrit të strukturave akomoduese që nuk janë të përfshira në sistemin e integruar të turizmit, por gjithsesi mund të themi që shumë pak të huaj flenë në Shqipëri”, shpjegon Zak Topuzi, kryetar i shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Thirrjet e qeverisë, shpesh të shoqëruara me paralajmërime për gjoba po reflektohen pak në shtimin e deklarimeve nga strukturat akomoduese. Në krahasim me janar-marsin 2025, të dhënat nga INSTAT tregojnë se numri u akomodimeve u zgjerua me rreth 37 mijë apo 16 për qind.

“Shqipëria ka 107 mijë shterët të regjistruar. Këtu përfshihen kotelet, bujtinat dhe apartamente. Kemi rreth 30 mijë apartamente me rreth 90 mijë shtretër jashtë sistemit. Ndaj kemi këto shifra. Ndoshta do të shohim efekte më pas si pasojë e ndryshimeve të ligjit për turizmin”, thotë Topuzi.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në tre muajt e parë të vitit, pjesa më e madhe e turistëve që fjetën në vend, pak më shumë se 256 mijë u akomoduan në hotele. Ndërkohë nga apartamentet me qira ditore pati vetëm 13 mijë e 700 akomodime të raportuara.

“Kjo tregon informalitetin.. Shqipëria ka gati 48 për qind të kapaciteteve akomoduese i ka apartamente dhe vila jashtë sistemit tatimor Kjo dëmton sa arkën e shtetit, aq edhe konkurrencës mes subjekteve”, thotë Topuzi.

Të dhënat nga Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit tregojnë se vetëm apo 1 mijë e 850 apartamente me qira ditore janë të regjistruar te tatimet dhe paguajnë taksat dhe tarifat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos