Eksperti Edvin Stefani sqaroi se çfarë është realisht “paqja fiskale” dhe a falen apo jo borxhet tatimore të bizneseve.
“Në fakt, është një paketë me tetë ligje. Por, dy çështjet kryesore kanë të bëjnë me faljen e detyrimeve dhe mundësinë që bizneset të rideklarojnë disa nga elementët e bilancit, për të patur mundësinë për të formalizuar paksa bizneset. Këto janë dy çështjet kryesore. Për sa i përket faljes së detyrimeve, preken të gjithë bizneset të cilat kanë detyrime. Zakonisht, një individi të caktuar i ka dalë një njoftim vlerësimi në të cilin kemi detyrimet, kemi dhe gjobat. Bëhet fjalë për të gjithë njoftimet e vlerësimit që kanë dalë në regjistrat e administratës tatimore deri në dhjetor të 2024. Pra, nëqoftëse unë kam marrë një detyrim për 2023-in ose për 2022-shin, por e kam marrë në maj të 25-ës, ky detyrim nuk falet. Pra, duhet njoftimi të ketë dalë deri në dhjetor të 2024. Ky është momenti i rëndësishëm që ka shkaktuar konfuzionin kryesor”, shpjegoi eksperti për “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.
Më tej, saktësoi se çfarë do të falet.
“Bëhet fjalë për të gjithë njoftimet e vlerësimit, por jo të gjithë njoftimet trajtohen në mënyrë të barabartë. Pra, ato që shënohen në njoftimet e vlerësimit “gjoba”, ato do të falen 100%, por me disa kushte. Për njoftimet e vlerësimit që kanë dalë nga 2015 deri në 2020, ne duhet të nxitojmë që të paguajmë 50% të detyrimit në bankë brenda qershorit, ose 75% të detyrimit brenda këtij viti 2026. Sa i përket njoftimeve të vlerësimit nga 2020 deri në 2024, falen gjobat nëse paguhet 100% e detyrimit. Pra, unë shoh njoftimin e vlerësimit, shoh se çfarë është shkruar aty në rreshtin e parë, “detyrimi tatimor”, dhe duhet të paguaj të gjithë detyrimin tatimor që të përfitoj faljen e gjobave”, theksoi eksperti Edvin Stefani. (A2 Televizion)