Nga “sa turistë” te “sa shpenzojnë?” Shqipëria po kërkon shtigje të reja drejt “pushuesve elitarë”

Nga Marjo Brakaj
2 Tetor 2026, 15:05 | Ekonomi

Shqipëria po kërkon shtigje të reja për zhvillimin e turizmit... duke synuar më shumë cilësi se sasi. Duke mësuar nga gabimet e së shkuarës, me udhërrëfyes eksperiencën e vendeve të suksesshme, vendi është i detyruar të ndryshojë qasje në drejtim të turizmit, duke synuar më tepër para se sa numra të huajsh.

“Të gjithë e dimë se shifrat e larta të vizitorëve me të ardhura mesatare dhe të ulëta ushtrojnë presion të madh mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe, gjithashtu, mbi vetë njerëzit tanë. Sigurisht, ne e dimë se nuk ekzistojnë mekanizma për të parandaluar ardhjen e më shumë njerëzve, por, në të njëjtën kohë, jemi plotësisht të vetëdijshëm se duhet të krijojmë më shumë hapësirë dhe kushte që turizmi i ekselencës, i cilësisë së lartë, të vijë në vendin tonë dhe të shndërrohet në një forcë më vete”, tha kryeministri Rama.

Bukuritë natyrore dhe kosto e ulët nuk mjaftojnë...“Nami i mirë” i mbështetur vetëm te “promovimi duke kopjuar” nuk zgjat përgjithmonë, dhe kjo u provua veçanërisht gjatë muajve të verës.

“Shqipëria ka një avantazh sepse brenda dy orëve mund të lëvizësh nga veriu në jug. Mundësia është për ta kthyer nga një përvojë. Faza tjetër e turizmit shqiptar nuk është vetëm për të ndërtuar më shumë dhoma, por për përvojat, teknologjinë dhe shërbimet. Është për krijimin e një destinacioni, që turistët të thonë do të qëndrojmë më shumë”, tha ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Dikur vendi më i izoluar i Europës, në dy vitet e fundit veçanërisht, Shqipëria është kthyer në një destinacion popullor turistik të preferuar për shumëkënd. Por “bumi i menjëhershëm”, në kushtet e mos-ruajtjes së vlerave identitare mund të kthehet në efekt “bumerang.” 

“Një destinacion nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme nëse kërkesa rritet më shpejt se cilësia. Prandaj, një nga sfidat kryesore për vitet në vijim është të sigurojmë që investimet në infrastrukturën e mikpritjes të shoqërohen me investime po aq të rëndësishme në kapitalin njerëzor”, tha ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja.

Objektivi, pjesë e strategjisë së re të zhvillimit të turizmit synohet të arrihet duke ofruar në këmbim “një shërbim më cilësor” të garantuar nga burime njerëzore të kualifikuara.

“Autenticiteti është thelbi i asaj që na bën unikë; prestigji lind kur dimë ta ruajmë këtë pasuri dhe ta shndërrojmë në një vlerë që i reziston kohës”, tha Laura Saro, drejtoreshë e AIDA.

Një studim i kryer nga Shoqata e Kombeve të Bashkuara tregon se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e duhur në drejtim të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos