Celibashi letër partive për zgjerimin e votimit elektronik, i fton në takim më 9 tetor

Nga A2 CNN
2 Tetor 2026, 15:53 | Politikë

Celibashi letër partive për zgjerimin e votimit elektronik, i fton

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vlerëson shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në 3 ose 4 bashki të mëdha për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Në një letër drejtuar partive politike, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi kërkon që ato të shprehin qëndrimin e tyre për zgjerimin e këtij procesi, duke argumentuar se vendimmarrja duhet të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar politik.

Për këtë qëllim, ai ka ftuar partitë në një takim konsultues në KQZ më 9 tetor 2026, në orën 11:30, ku pritet të diskutohet mundësia e aplikimit të votimit dhe numërimit elektronik në disa bashki të mëdha.

“Duke marrë në konsideratë aspektet teknike, logjistike dhe administrative, si dhe nevojën për implementim të qëndrueshëm dhe në kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se një shtrirje në 3 apo 4 bashki të mëdha përbën një qasje të arsyeshme dhe proporcionale. Për këtë arsye, çdo vendimmarrje për zgjerimin e këtij procesi duhet të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të partive politike.

Në këtë kuadër, KQZ kërkon shprehimisht që partitë politike të paraqesin qëndrimin e tyre lidhur me mundësinë e zhvillimit të votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet vendore të vitit 2027, në disa bashki të mëdha, kohë përpara procesit zgjedhor.

Për sa më sipër, para se Ju të shprehni qëndrimin tuaj zyrtar, kërkojmë nga ana juaj të caktoni përfaqësuesin/t tuaj për të marrë pjesë në një takim konsultues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ditën e premte, datë 9 tetor 2026, në orën 11:30”, thuhet ndër të tjera në letrën e Celibashit.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos