Pas një oferte joshëse në dukje nga një biznes apo tregtar, mund të fshihet një mashtrues. Shoqata e Bankave ngre shqetësimin për mashtrimet në internet në rritje, që lidhen me përdorimin e të dhënave personale dhe bankare për të kryer veprime në internet.
“Nëse ndjek linqet e sugjeruara, ato të kërkojnë të dhëna personale dhe të dhëna sigurie, si kode, PIN etj., si në një rast të vërtetë, por që paratë shkojnë në llogaritë e tyre sepse lidhja është në një faqe të rremë. Transaksioni ndodh në një skemë mashtrimi duke i dërguar fondet në llogaritë e kontrolluara nga mashtruesi”, tha Spiro Brumbulli, Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së bankave.
Në raste të tjera, qytetarët mashtrohen edhe nga mesazhe që tregojnë se për ta ka një pako, por duhet të saktësojnë të dhënat për ta marrë atë.
“Këto mashtrime vijnë me mesazh në telefon dhe mund të ndodhë edhe me email në adresën personale janë skema mashtrime dhe për shkak të kuriozitetit individët i hapin dhe për fat të keq, ka pasur edhe individë që kanë rënë pre e mashtrimit”.
Bankat bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos i japin askujt të dhënat e llogarisë së tyre bankare.
“Fshini çdo mesazh apo email të ardhur nga një burim i panjohur që ju kërkon të kryeni veprime në linqe të cituara apo të kryeni telefonatë në numrin e treguar në tekst. Mos tregoni asnjë kuriozitet për të provuar se çfarë mund të jenë këto njoftime joshëse ose që ju kërkojnë të kryeni një veprim me urgjencë. Mos iu përgjigjeni teksteve që duket se janë nga një institucion financiar ose shitës që ju kërkojnë të përditësoni informacionin e llogarisë tuaj ose të jepni informacione personale. Në asnjë rast banka nuk do t’ju kërkojë të dhënat personale bankare, si numrin e kartës, PIN, kode sekrete ose fjalëkalime”.
Tre tipologji kryesore të identifikuara të mashtrimit “online” kanë të bëjnë me ofertat joshëse duke përdorur emra dhe marka të mirënjohur tregtarësh, ka oferta të rreme gjoja nga një dyqan si dhe mashtrime përmes mesazheve që të ka ardhur një pako por pagesa duhet të bëhet online me kartë. (A2 Televizion)