Dalin e-mail-et e disa deputetëve, hakerat e mbështetur nga Irani sulmojnë Kuvendin

Nga Mario Brakaj
10 Mars 2026, 17:36 | Ekonomi

Dalin e-mail-et e disa deputetëve, hakerat e mbështetur nga Irani

Pavarësisht bombardimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, Irani nuk heq dorë nga sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë. Objektivi i radhës ka qenë Kuvendi. Hakerat e quajtur “Homeland Justice” kanë sulmuar postën elektronike të Parlamentit, raporton A2CNN. 

AKSK bën me dije se: “Gjatë ditës së sotme është raportuar një sulm kibernetik që lidhet me postën elektronike të Kuvendit të Shqipërisë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur grupin e punës për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë. Informacione të mëtejshme do të bëhen publike pas përfundimit të vlerësimit teknik.”

Në rrjetin social Telegram, hakerat e mbështetur nga Irani kanë publikuar përmbajtje nga adresat e e-mail-it të Belinda Ballukut, Damian Gjiknurit, Gazmend Bardhit dhe Edi Palokës.

Burime për A2CNN bëjnë me dije se administrata e Kuvendit dhe deputetët nuk kanë pasur akses në kompjuterë dhe në adresat e e-mail-it për disa orë.

Për herë të fundit, hakerat kishin sulmuar duke nxjerrë jashtë funksionit faqet web të Bashkisë Tiranë dhe Institutit të Statistikave.

Në vitin 2022, disa grupe të sofistikuara hakerash, të mbështetur nga shteti i Iranit, sulmuan shërbimet online në Shqipëri. Këto u bënë shkak që qeveria shqiptare të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit, duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos