Shumë zhurmë, pak rezultate, paga mesatare u rrit me vetëm 3 mijë e 500 lekë vitin e shkuar

Nga Marjo Brakaj
10 Mars 2026, 17:29 | Ekonomi

Shumë zhurmë, pak rezultate, paga mesatare u rrit me vetëm 3

Paga mesatare në vend u rrit me vetëm 3,500 lekë vitin e shkuar. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se, nga 83,401 lekë në fund të vitit 2024, paga mesatare arriti në 86,984 lekë në tremujorin e katërt të vitit të shkuar .

Ajo që po ndodh është kjo: nga njëra anë kemi qeverinë që bën shumë zhurmë për rritjen e pagave, dhe nga ana tjetër pjesa më e madhe e shoqërisë ndjen pak efekte. Rritja e pagës mesatare në këto nivele është e vogël. Do ta përmblidhja si ‘shumë zhurmë për hiçgjë’.”, tha Klajdi Bregu, ekspert për ekonominë,

Zhurma më e madhe sesa të hollat po hyjnë në xhepa pohohet edhe nga Alberta, një e re e punësuar që shpreson ende të ketë një pagë 900 euro.

“Unë jam 22 vjeç dhe kam mbaruar për ‘Graphic Design’. E kam nisur me një pagë minimale. Tani ka pasur një rritje të vogël, por në raport me jetesën marr aq pak sa nuk më mjafton. Nuk kam ndier ndonjë rritje të madhe rroge”, tha Alberta, një e re e punësuar.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se, veçse e dobët, rritja e pagës mesatare po shoqërohet nga një thellim i hendekut mes sektorit shtetëror dhe atij privat, ky i fundit që vazhdon të paguajë më pak (grafik 2).

Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e politikës së ndërmarrë nga qeveria për të rritur pagat me qëllim frenimin e emigrimit. Gjithashtu, sot tregu i punës po vuaj për punonjës, ndaj rriten pagat. Por këto hendeqe mes sektorit shtetëror dhe privat nuk i bëjnë mirë tregut", tha Emian Muçaj, eksperte e punësimit.

Hendeqet janë thelluar edhe mes profesionistëve të ndryshëm. Sipas INSTAT, punonjësit e bankave dhe ata të kompanive të sigurimit patën pagën mesatare që në fund të vitit të shkuar kapi shifrën mbi 173,000 lekë, ndjekur nga të kualifikuarit në teknologji-informacioni me 131,167 lekë.

Ndërkohë, punonjësit në bujqësi, që përbëjnë gati gjysmën e popullsisë, paguhen mesatarisht vetëm me 54,411 lekë. Nëse u heqim sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ajo që fermeri merr në dorë nuk i kalon 42,000 lekë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos