“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e sotme vendosi që të uli me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit”.
Pas shtatë rritjesh në gati dy vite e gjysmë, Banka e Shqipërisë vendosi të zbusë politikën monetare. Nga 3.25 për qind, norma bazë e interesit për lekun do të zbresë në 3 për qind.
“Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se ky lehtësim i politikës monetare është konsistent me objektivin për stabilitet të çmimeve në afatmesëm. Ilustron fleksibilitetin e politikës monetare duke ekuilibruar raportin mes ofertës dhe kërkesës”, tha guvernatori Sejko.
Vendimi i Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit vjen një muaj pasi Banka Qendrore Europiane vendosi të zbusë politikën monetare, për herë të parë pas pesë vitesh.
“Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kjo vendimmarrje ecën në linjë me vendimmarrjen e BQE duke shmangur efekte që mund të lindnin në kursin e këmbimit nga norma e lartë e interesit për lekun”, shtoi Sejko.
Zbutja e normës bazë të interesit është një lajm i mirë veçanërisht për kredi-marrësit shqiptarë në lekë. ata që kanë këstet për të paguar apo ata që planifikojnë të marrin hua, do të paguajnë më pak interesa te bankat. (A2 Televizion)