Raporti i Bankës Botërore, shqiptarëve iu duhen shumë vite për të arritur standardin e europianëve

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2025, 14:42 | Ekonomi

Të ardhurat e shqiptarëve janë sa vetëm një e treta e qytetarëve europianë. Shqiptarëve iu duhen disa dekada për të arritur cilësinë e jetesës së popujve pjesë e “unionit”.

Në këtë përfundim ka arritur Banka Botërore në raportin “Rishikimi i Financave Publike", shkruan A2.

Sipas dokumentit, nëse politika ndërmerr vendimet dhe reformat e duhura, shqiptarët do mund të kenë të ardhura sa gjysma e qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian. 

Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore në Shqipëri, tha: “Perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë varen nga forcimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i infrastrukturës dhe avancimi i politikave klimatike për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve demografike. Reformat e ndërmarra kanë forcuar sistemin tatimor, por të ardhurat mbeten nën nivelin e potencialit të tyre, si pasojë e mosdeklarimit të pagave, informalitetit, përjashtimeve dhe mangësive në zbatim”.

Në prezantimin e raportit, ekonomistja e lartë e Bankës Botërore, Angella Montfaucon, tregoi edhe hapat që Shqipëria duhet të hedhë për të ngushtuar hendekun me Bashkimin Evropian: “Presionet demografike po rriten: deri në vitin 2060, rreth 29–34% e popullsisë parashikohet të jetë mbi moshën e pensionit. Pensioni mesatar zë vetëm 32% të pagës – niveli më i ulët në rajon. Rekomandohet zgjerimi i bazës së kontribuesve përmes stimujve për kontribute afatgjata, rritjen e nivelit të përfitimeve, përmirësimin e barazisë dhe shtimin e një skeme me kontribute të përcaktuara për kontribuesit e rinj dhe thjeshtimin e formulave për llogaritjen e pensionit”.

Nga gati 46 mijë euro në vendet europiane, të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri, pra raporti mes Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe popullsisë është vetëm 8 mijë e 800 euro.

Kjo në një kohë që rritja ekonomie e vendit ka qenë në nivele të kënaqshme.

Petrit Malaj, ministër i Financave, deklaroi: “Rruga e zhvillimit të Shqipërisë është, mbi të gjitha, një proces për të çliruar potencialin e njerëzve tanë. Kemi bërë përparim të rëndësishëm, por mbetet ende shumë punë. Ne jemi të përkushtuar ndaj politikave të bazuara në prova dhe ndaj reformave që rrisin cilësinë dhe efikasitetin e financave publike. Reformat kërkojnë vullnet politik, kapacitet teknik dhe këmbëngulje. Por kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë se sfidat e ndryshimit”.

Hendeku mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian shtrihet edhe në të tjera drejtime. Nga 3.9 euro që mesatarisht merr në i punësuar në vend, në BE paga mesatare në euro është plotë 16.8 euro apo 4.4 herë më e lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos