Programi i BERZH-it “SME Reboot”, i cili u prezantua sot në Tiranë, do t’u ofrojë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) një paketë që përfshin kredi, grante dhe asistencë teknike.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po nxit aksesin në financim për NVM-të në Shqipëri nëpërmjet programit “SME Reboot”, që ka si synim rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së bizneseve vendase.
Programi u lançua sot në Tiranë në një event që mblodhi përfaqësues të NVM-ve shqiptare, institucioneve financiare partnere te BERZH, donatorëve, dhomave ekonomike etj.
Programi “SME Reboot” do të nxisë konkurrueshmërinë e NVM-ve shqiptare duke i ndihmuar ato të aksesojnë financim për investimet që përputhen me standardet e Bashkimit Evropian dhe standarde të tjera ndërkombëtare. Nëpërmjet partneritetit të institucioneve financiare me sektorin privat, NVM-të fuqizohen për tu modernizuar, për tu bërë më të qëndrueshme dhe për të zgjeruar aktivitetin e tyre përtej tregut vendas.
Aleksandra Vukosavljevic, Drejtoreshë e BERZH-it për Institucionet Financiare në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore, tha: “Ky program do të forcojë konkurrencën e NVM-ve shqiptare si në tregjet vendase ashtu edhe në ato ndërkombëtare, duke nxitur tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër dhe rritje të qëndrueshme ekonomike”.
Zëvendës Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Philipp Arnold, u shpreh: “Kontributi zviceran prej 2.8 milionë franga zvicerane nga Sekretariati Shtetëror i Çështjeve Ekonomike SECO për programin ‘SME Reboot’ motivohet nga qëllimi ynë zhvillimor për ta bërë sektorin privat në Shqipëri dhe rajonin e gjerë më konkurrues dhe më elastik”.
Të paktën shtatëdhjetë për qind e financimit të ofruar përmes programit do të dedikohet për investime në ekonominë e gjelbër, duke përfshirë efiçiencën e energjisë, efiçiencën e burimeve dhe energjinë e rinovueshme, duke ndihmuar në uljen e emetimeve të gazeve serrë në vend. Për më tepër, programi do të mbështesë investimet në automatizim, rritjen e produktivitetit, cilësinë e produkteve dhe sigurinë.
Përveç asistencës teknike, NVM-të do të përfitojnë një grant në vlerën dhjetë për qind të shumës së kredisë pas përfundimit të suksesshëm të investimit.
Programi “SME Reboot” është tashmë aktiv edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe pritet të stimulojë edhe më tej bizneset vendase.
Programi mbështetet nga këta donatorë: Luksemburgu, Norvegjia, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Fondit të Ndikimit për Bizneset e Vogla të BERZH-it (SBIF), si dhe nga Danimarka.
(A2 Televizion)