Ky bashkëpunim do të lejojë që Shqipëria dhe Mali i Zi të shkëmbejnë energji dhe informacion në kohë reale, që është thelbësor për garantimin e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike të të dy vendeve.
“Ky hap i rëndësishëm është dëshmi e përkushtimit dhe vizionit tonë për të forcuar më tej integrimin rajonal në energji, duke i dhënë KESH një rol të ri si partner i besueshëm dhe strategjik në rajon’, bëri të ditur KESH.
Shqipëria synon të pozicionohet si një lider rajonal në prodhimin dhe eksportimin e energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030.
Sipas programit të ri të qeverisë, miratuar në Kuvend, vendi do të shtojë kapacitetet e prodhimit nga burime të rinovueshme çdo vit, duke arritur një total prej 1500 MW deri në vitin 2030.
Një nga projektet kryesore është ndërtimi i parkut më të madh eolik në Tropojë, me kapacitet prej 600 MW, shkruan A2 CNN.
Për të forcuar lidhjet rajonale, qeveria planifikon ndërtimin e lidhjeve të reja të interkoneksionit me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Kosovën. Po ashtu planifikon të nisë ndërtimin e linjës së re nënujore Shqipëri-Itali për integrim të plotë në tregun europian të energjisë.
Investimet në vitet e fundit kanë bërë të mundur dyfishimin e kapaciteteve energjetike, nga 1768 MW në 3298 MW, si dhe uljen e humbjeve në shpërndarje nga 50% në 17%, shkruan A2 CNN.
Në fushën e burimeve të rinovueshme, Shqipëria ka bërë hapa para në linjë me politikat europiane për integrimin e burimeve të rinovueshme. Centrali fotovoltaik i Karavastasë me kapacitet 140 MW është sot investimi më i madh i këtij lloji në vend, ndërkohë që janë shtuar 1300 MW kapacitete të reja nga burimet diellore dhe burime të tjera të gjelbra.
Si rezultat, 10% e energjisë së prodhuar sot vjen nga fotovoltaikët, duke diversifikuar burimet, ulur varësinë nga hidrocentralet dhe klasifikuar sistemin energjetik ndër më të qëndrueshmit në nivel global. (A2 Televizion)