Rregulla të reja për mikrokreditë, listë e zezë për ata që s'kthejnë huatë, për 18-vjeçarët do pyeten prindërit

Nga Marjo Brakaj
27 Qershor 2024, 14:42 | Ekonomi

“Listë e zezë” për kredi-marrësit e këqij, hua për 18-vjeçarët vetëm me miratimin e prindërve dhe refuzimin e kërkesave nga persona me probleme të shëndetit mendore apo varësie. Banka e Shqipërisë ka nisur punën me Bankën Botërore për të bërë rregulloren e re për të mbrojtur konsumatorët nga bankat dhe jo-bankat në rast se marrin kredi. Drafti i parë i kësaj rregulloreje do të bëhet publik në shtator të këtij viti.

Burime nga Banka e Shqipërisë pohojnë se ndryshimet në rregullore vlerësohen si të rëndësishme pas analizave të kryera në kompanitë “Micro Credit Albania” dhe Final, të cilave iu hoq licenca për shkak të abuzimeve me dhënien e kredive. Banka e Shqipërisë ka gjetur shumë raste ku kreditë iu janë dhënë klientëve, që ishte e dukshme se nuk mund t’i kthenin ato.

Me rregulloren e re që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, për të dhënë hua institucionet financiare, jo banka, do të duhet analizojnë më thellësisht aftësinë paguese të atyre që kërkojnë kredi.

Më herët edhe Parlamenti, me anë të projektrezolutës, “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023” kërkoi ndryshime në rregulloren e kredidhënies, veçanërisht nga institucionet e mikro-kredisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos