Në fuqi nga 1 korriku, qeveria rrit pagat për 135 mijë punonjës të administratës

Nga Marinela Lina
26 Qershor 2024, 15:19 | Ekonomi

Është miratuar në mbledhjen e këshillit të ministrave rritja e fazës së dytë të pagave për administratën shtetërore. 135 mijë punonjës të sektorëve si sistemi arsimor parauniversitar, shëndetësor por dhe sistemit të sigurisë së vendit do të përfitojnë duke filluar nga 1 korriku. Gjithashtu duke filluar nga viti 2026 indeksimi I pagave do të bëhet në bazë të normës së inflacionit.

Qeveria rriti pagat për sektorin e administratës publike. Ministri i Financave, Ervin Mete tha se nga kjo fazë e dytë e rritjes nga 1 korriku përfitojnë rreth 135 mijë punonjës.

“Përmes zbatimit të kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë lekë. Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për ketë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh”, tha ministri Mete.

Ndalur në sistemin arsimor pritet të përfitojnë rreth 30 mijë punonjës përfshirë edhe ata të shërbimit psiko-social por dhe oficerët e sigurisë në shkolla. Ndërsa do të vijojë rritja e pagave edhe për 20 mijë punonjës të sistemit shëndetësor.

“Pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të lartë me 15 vite eksperiencë shkon 98,500 lekë.  Pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të ulët me 15 vite eksperiencë shkon 96,600 lekë. Pagat e mësuesve të arsimit të ulët 9-vjeçar me 15 vite eksperiencë shkon 95,000 lekë. Nga kjo politikë e re pagash përfitojnë gjithashtu edhe punonjësit e shërbimit psiko-social (psikologët dhe punonjësit socialë), oficerët e sigurisë në këto institucione, të cilët luajnë rol tepër të rëndësishëm në mirëqenien e dhe sigurinë e fëmijëve.”

“Nga vendimi i sotëm përfitojnë 20 mijë punonjës të sistemit shëndetësor. Nuk janë vetëm mjekët dhe infermierët, por janë dhe punonjësit e administratës së sistemit shëndetësor të cilët gjithashtu përfitojnë një rritje 15-20% të pagës së tyre aktuale”, tha ministrja Koçiu.

Përfitues të fazës së dytë të rritjes së pagave do të jenë dhe punonjës të forcave të armatosura por dhe të policisë së burgjeve.

“Për të gjithë ushtarakët, nga ushtari i katërt deri te gjeneralët. Por rritja e pagave do të përfshijë edhe personelin zjarrfikës”, deklaroi Peleshi.

“Këtë rritje page e kanë përfituar dhe policia e burgjeve, stafet mjekësore dhe civile. Rritja nga 13-27%. Mesatarisht pagat janë rritur 15.12%”, u shpreh Manja.

Me zbatimin e kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë Lekë. Me ndryshimet ligjore të miratuara, indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike pritet të realizohet me normën e inflacionit në fuqi, çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos