Transferojnë kompanitë në Shqipëri, hapin biznese të reja apo edhe riinvestojnë në sektorë të ndryshëm. Më shumë të huajë po zgjedhin të investojnë në Shqipëri. Janë kryesisht investimet Holandeze ato të cilat kryesojnë në gjysmën e parë të vitit, stoku i të cilave arriti në 2.3 miliardë euro, pasuar nga Zvicra, 2.2 miliardë euro, Kanadaja 1.8 miliardë euro, Italia 1.5 miliardë euro. Hapa të dukshëm përmirësues po shënon edhe Turqia së fundmi. Vlera e investimeve të së cilës arriti në 1.1 miliardë euro.
“Shumë investitorë nga Turqia vijën këtu edhe pas thirrjes së kryeministrit Rama për të ardhur e investuar në Shqipëri. E kanë marrë këtë thirrje shumë seriozisht e ky numër është rritur”, thotë për A2 CNN investitori turk, Kenan Sevinc.
Vlera e investimeve të huaja në gjysmën e parë të vitit kapi shifrën e gati 750 milionë eurove, 56.3 milionë më tepër se e njëjta periudhë kohore e një viti më parë. “Jemi fokusuar tek energjia, turizmi, shëndetësi dhe minierat”, thotë Sevinc.
Më shumë, të huajt po investojnë në blerjen e pasurive të patundshme, pasuar nga investimet në sektorin bankar dhe atë financiar, hidrokarburet, energjia dhe tregtia. Por vëmendjen e investitorëve këtë vit po e tërheq dhe sektori i turizmit, të cilin e shohin si një potencial për ta zhvilluar më tej duke sjellë eksperiencën ndërkombëtare. “Turqia është përpara me turizmin dhe këtë eksperiencën duam ta sjellim dhe në Shqipëri pasi ajo ka bërë hapa në këtë sektor më tej”, thotë Sevinc.
Përballë pritshmërive afatgjata investitorët i druhen fuqisë punëtore. “Ata që duan të bëjnë investime kanë frikë se nuk gjejnë staf të kualifikuar, shpresoj që shteti të bëjnë më shumë investime për stafin”, thotë Sevinc.
Për të thithur më shumë investime të huaja, kryeministri Rama ka ndërmarrë një tur takimesh ndërkombëtare nëpër shtete, me qëllim kryesor edhe thithjen e investimeve nga diaspora. (A2 Televizion)