Arben Malaj, ish-ministër i Financave, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit” të pasdites nga Pandi Gjata, në A2CNN, shpalosi propozimet e tij mbi masat që duhet të marrë qeveria për të përballuar krizën e çmimeve që vjen nga rritja e çmimit të naftës.
“Jemi në situatë kritike dhe jemi prekur goxha nga rritja e çmimeve. Janë 4 grupe që kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme. Janë shtresat në nevojë, pensionistët, ata që përfitojnë ndihmë sociale dhe bujqësia. Deri tani, jemi i vetmi vend evropian që nuk kemi prezantuar një paketë sociale. Strukturat e kontrollit më tepër krijojnë premisa për korrupsion sesa ndihmojnë qytetarët. Unë sugjeroj që qeveria dhe Ministria e Financës duhet të bënin inventarin komplet të rezervës së sigurisë. Kemi ligj për rezervën, por ka pasur raste që ajo shitet dhe kompanitë marrin fitime abuzive, duke e shitur në mënyrë informale. Qeveria nuk ka bërë asnjë verifikim”, tha Malaj.
“E dyta, qeveria e Greqisë vendos që fitimin abuziv ta tatojë dhe të shkojë në buxhet dhe të përdoret në formën e solidaritetit social. Greqia ka modelin e saj, Kroacia të sajin… Qeveria ka bllokuar monopatinat për shembull dhe ne jemi në kulmin e një krize me çmimin e naftës. Njerëzit mund të shkonin në punë me këto mjete. Krizat e naftës janë të përsëritura dhe ne duhet t’i kemi gati masat dhe jo të presim a do ulet apo jo çmimi. Ai është konflikt ekonomik, jo ushtarak. Në qendër të saj është Kina dhe ka shumë ndërthurje në këtë luftë. Edhe sot të mbarojë ajo luftë, që unë them që do të zgjasë, do të duhet një muaj që të ulen prapë çmimet”, shtoi Malaj. (A2 Televizion)