U fsheh për 6 vite në Greqi, arrestohet shqiptari i dënuar me dy burgime të përjetshme

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2026, 11:55 | Kronikë

U fsheh për 6 vite në Greqi, arrestohet shqiptari i dënuar me dy

Një 43-vjeçar shqiptar, i dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për vrasjen e dyfishtë në Lutraqi të Greqisë në vitin 2020, është arrestuar në zonën e Patisias, në Athinë, pas gjashtë vitesh në arrati.

Sipas mediave greke, shqiptari ishte fshehur në një apartament dhe kishte arritur t'u shmangej autoriteteve për një periudhë të gjatë, duke kufizuar në maksimum daljet në ambiente publike.

Arrestimi u bë pas një operacioni të organizuar nga Departamenti i Vrasjeve i Drejtorisë së Krimit të Organizuar. Policia kishte marrë informacion për vendndodhjen e tij rreth 15 ditë më parë dhe kishte mbajtur nën vëzhgim apartamentin ku dyshohej se fshihej.

Gjatë ndërhyrjes, ku morën pjesë edhe forcat speciale EKAM, 43-vjeçari u arrestua. Në banesën e tij u gjet edhe një pistoletë, e cila është dërguar për ekspertim balistik, për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

I dënuar për vrasjen e dyfishtë në Lutraqi

Ngjarja për të cilën shqiptari është dënuar ndodhi në tetor të vitit 2020, kur ish-partnerja e tij, me origjinë ukrainase, dhe partneri i saj, një farmacist në zonë, u gjetën të vrarë në një banesë në Lutraqi. Sipas hetimeve, autori kishte përdorur një sëpatë për kryerjen e krimit.

Pavarësisht dënimit me dy burgime të përjetshme, 43-vjeçari mohon përfshirjen në këtë vrasje të dyfishtë.

Pranoi dy vrasje në Shqipëri, dyshime për vrasës me pagesë

Sipas mediave greke, gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se kishte qenë më parë oficer policie në Shqipëri. Gjithashtu, dyshohet se ka pranuar kryerjen e dy vrasjeve të tjera në Shqipëri, përpara vitit 2002, të cilat, sipas pretendimeve të tij, i kishte kryer me sëpatë.

Për këto krime, autoritetet shqiptare e kishin dënuar me 22 vite burg, por sipas burimeve të cituara nga mediat greke, veprat tashmë janë parashkruar.

Ndërkohë, hetuesit grekë po shqyrtojnë mundësinë që 43-vjeçari të jetë i përfshirë edhe në vrasje të tjera, të dyshuara si vrasje me pagesë dhe të lidhura me kontrata kriminale.

Hetimet vijojnë për të verifikuar nëse arma e sekuestruar dhe të dhënat e tjera të mbledhura mund ta lidhin atë me ngjarje të tjera kriminale në Greqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos