Shpenzimet kryesore në buxhetin e 2025-ës

Nga Aurora Sulçe
30 Tetor 2024, 15:34 | Ekonomi

Buxheti 2025 është gati të nisë diskutimet në komisionet parlamentare. Qeveria ka shpallur në këtë draft drejtimet kryesore se ku do të përdoren paratë e taksapaguesve, duke përcaktuar kështu edhe prioritetet e zhvillimit të ekonomisë.

Shpenzimet kryesore në buxhetin e 2025-ës

Në buxhetin 2025, shpenzimet kryesore do të shkojnë për financimin e skemës së sigurimeve shoqërore, duke përfshirë këtu edhe indeksimin e pensioneve. Zëri i dytë më i madh në shpenzimet  e buxhetit janë kostot e personelit, së bashku me ato operative për funksionimin e administratës, pasuar nga investimet publike, që vitin e ardhshëm do të shënojnë nivelin rekord të 6.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke përkuar edhe me vitin zgjedhor.

Një rritje e ndjeshme e shpenzimeve në buxhetin 2025 është parashikuar edhe për pushtetin vendor.

Shpenzimet kryesore në buxhetin e 2025-ës

Për bashkitë do të jepen në total 89.9 miliardë lekë, me rritje mbi 10 miliardë kundrejt vitit 2024. Këtu përfshihen edhe fondet që do të duhen për rritjen e pagave të administratës vendore, që qeveria ka premtuar ta realizojë vitin e ardhshëm.

Por cilët janë sektorët e konsideruar prioritarë në buxhetin 2025?

Shpenzimet kryesore në buxhetin e 2025-ës

Shpenzimet më të madhe buxhetore shkojnë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke përfshirë këtu edhe ndihmën që jepet për kategori të caktuara, si pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, të papunët etj. Në vend të dytë renditet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për shkak të rritjes së fondeve për investimet në infrastrukturë, ndërkohë që pason ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. Më pak fonde do të jepen për Ministrinë e Bujqësisë, sektor që edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk do të ketë vëmendje të madhe buxhetore.

Buxheti 2025 u prezantua pak orë më parë në Konferencën e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, duke i hapur kështu rrugë diskutimit të tij në komisionet parlamentare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos