“Shqipëria 1 euro” del në shitje, nisma u jep investitorëve për zhvillim tokat e shtetit në male

Nga Marinela Lina
2 Tetor 2024, 15:43 | Ekonomi

“Shqipëria 1 euro”. Një nismë që e ka pikënisjen në vitin 2006 e vendosur në fuqi që në kohën e ish-kryeministrit Sali Berisha, e aplikuar më tej edhe në qeverinë Rama, do të gjejë zbatim përsëri. Nga synimi i tokave, terreneve, ndërtesave, magazinave shtetërore etj. Radha u ka ardhur maleve, por me një ndryshim.

Këto prona nuk do të jepen më me 1 euro për një afat të caktuar, por shteti heq dorë prej tyre duke i shitur ato. Në projektligjin e hedhur për konsultim nga Ministria e Ekonomisë, “Për Shitjen e Pasurive të Paluajtshme Shtetërore Poseduesve Faktikë Jo pronarë në Zonat me Përparësi Zhvillimin e Ekonomisë Malore” theksohet se qëllimi është zhvillimi i zonave malore, raporton A2.

“Projektligji ka për qëllim, pikërisht konsolidimin e marrëdhënies juridike të pronësisë mbi tokën, në këto zona me përparësi zhvillimin, me qëllim nxitjen dhe tërheqjen e investimeve për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, në ato zona , të cilat për shkak të burimeve natyrore, trashëgimisë së pasur kulturore dhe gamën e gjerë të aktiviteteve në natyrë që ofrojnë konsiderohen si zona të një rëndësie të veçantë me përparësi zhvillimin malor dhe kanë nevojë për mbështetje të posaçme”.

Nisma e vjetër e ‘’100 fshatrave’’ dhe ajo e reja për ‘’paketën e maleve’’ janë objekt i këtij projekt-ligji që ka si synim kryesor investimin e emigrantëve shqiptarë në atdhe, shkruan A2.

“Iniciativa për këtë projektligj merret në kuadër të “Programit të integruar për zhvillimin rural - Programi i 100 Fshatrave”, dhe më konkretisht, në kuadër të nismës “Investo në Tokën Tënde – Paketa e Maleve”, e cila synon të ofrojë një qasje alternative për tërheqjen e investimeve direkte dhe orientimin e tyre, për zhvillimin e atyre zonave rajonale/lokale të qeverisjes vendore, të identifikuara si zona me përparësi zhvillimin, që kanë nevojë për përdorimin e mekanizmave të veçantë, për zhvillimin ekonomik”.

Miratimi dhe zbatimi i këtij ligji sipas ministrisë së Ekonomisë do të reduktonte pabarazitë sociale dhe ekonomike midis rajoneve në të gjithë vendin, duke nxitur investimet dhe duke ulur papunësinë.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos