Garancia sovrane nuk dha rezultat, bankat iu dhanë bujqve dhe blegtorëve më pak kredi vjet

Nga Marjo Brakaj
18 Shkurt 2026, 16:14 | Ekonomi

Bankat u dhanë bujqve shqiptarë vetëm 2.6 miliardë lekë kredi vitin e shkuar. Në raport me 2024-n, kredia për sektorin më të madh të ekonomisë u pakësua me 100 milionë lekë apo 3.7 për qind.

Garancia sovrane nuk dha rezultat, bankat iu dhanë bujqve dhe

“Faktori kryesor është mungesa e certifikimit të tokës, parcelizimi, informaliteti i lartë, mungesa e siguracionit, si edhe kosto e lartë e prodhimeve në mënyrë që planet e biznesit të dalin sipas kërkesave që kanë institucionet financiare”, u shpreh për A2 CNN Malvina Kosova, pedagoge, eksperte ekonomie.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me totalin e huave të dhëna, bujqësia zuri vetëm 0.59 për qind.

Garancia sovrane nuk dha rezultat, bankat iu dhanë bujqve dhe

Kjo në një kohë që në fuqi ishte edhe skema e Garancisë Sovrane. Linja e financimit me garanci sovrane dhe kredi me interes deri në 2 për qind nuk shkoi deri tek fermerët, pasi kjo kategori nuk plotësoi kriteret.

“Mundësitë po jepen me fonde të ndryshme të garancisë, por shpesh herë bankat janë të interesuara për aftësinë paguese të agrobizneseve apo fermerëve. Një fermer duhet të bindë bankën për këtë aftësi dhe është shumë i rëndësishëm gjithë dokumentacioni i aktivitetit ekonomik. Dhe kjo i jep mundësinë institucionit financiar për ta besuar dhe për ta lehtësuar në fushën e kredisë”, theksoi Malvina Kosova.

Hapja e sektorit bankar ndaj bujqësisë konsiderohet e rëndësishme nga përfaqësues të këtij sektor, veçanërisht pas pezullimit të fondeve IPARD nga Bashkimi Europian dhe ulja e buxhetit në dispozicion.

“Kjo nuk e mbush boshllëkun e krijuar, por e lehtëson shumë. Shpresoj të mos jetë vetëm kjo, por edhe institucionet financiare premtuan se do të mbështesin me garanci sovrane sektorin”, shtoi ekspertja Kosova.

Ndonëse mbetet sektori që kontribuon më së shumti në ekonominë shqiptare me rreth 17 për qind të Prodhimit të brendshëm bruto, bujqësia vijon të mbetet një sektor i nën-kredituar, gati i braktisur nga bankat. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos