Bujqësia, blegtoria dhe siguria ushqimore, Salla: IPARD III hapet brenda 6 muajve, ndryshime në skemën kombëtare

Nga Marjo Brakaj
18 Shkurt 2026, 16:07 | Ekonomi

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pret që fondet IPARD të Bashkimit Evropian të zhbllokohen brenda gjysmës së parë të këtij viti. “Ne kemi përmbushur detyrimet tona të kërkuara nga Bashkimi Europian. Çështjet që lidhen me drejtësinë i takojnë institucioneve përkatëse. Më 9 mars do të jemi në Bruksel me synimin që brenda 6 muajve të hapet programi IPARD III. Fondi me vlerë 112 milionë eurosh pritet që të jenë në dispozicion brenda këtij viti në bashkëpunim me Bashkimin Europian”, tha ministri i Bujqësisë, Andis Salla, përcjell A2 CNN.

Ministri Andis Salla njoftoi se skema e re e bujqësisë me vlerë 5.2 mld euro, do të vijë me ndryshime. Për çdo të ri të moshës 18-35 vjeç që do të hapë biznes në blegori, parashikohen grante 7 deri 10 mijë euro.

“Kemi diskutuar për të vendosur për të rinjtë dhe të rejat nga 18 vjeç deri në 35 vjeç mundësinë që ne t’i japim nga 7 deri në 10 mijë euro. Po e shikojmë me financat për të diskutuar mbështetjen financiare për të përllogaritur që çdo i ri dhe e re që hap një biznes, kryesisht në blegtori, të jetë pjesë e mbështetjes sonë”, shtoi ai.

Siguria ushqimore është testi  i radhës që Shqipëria duhet të kalojë... kjo si përpjekje për të fituar besimin e konsumatorëve e njëherazi për të marrë aprovimin e institucioneve të Bashkimit Europian. Me Komisionin Evropian që nuk dha një notë kaluese në raportin e fundit të progresit, ministri Salla tregoi planet për të marrë “dritën jeshile” në raportin e radhës.

“Duke qenë se jemi edhe në procesin e përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian, do të vazhdojmë ta forcojmë këtë sektor për t’i garantuar konsumatorit shqiptar këtë proces të rëndësishëm. Përveç Urdhrit të Agronomit, ne kemi ndërtuar 7 laboratorë në të gjithë territorin e Shqipërisë për të mbuluar sektorin e sigurisë ushqimore dhe do të vazhdojmë me ndërtimin e 5 pikave kufitare për eksportet dhe importet”, tha Salla.

Veç pronave, në skemën e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet pritet të përfshihen edhe fermat dhe skemat bujqësore. Lajmin e dha Ministri Salla teksa foli edhe për dëmshpërblimin e të përmbyturve në fillim-vit.

“Kemi bërë një grup të përbashkët midis Ministrisë së bujqësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe shumë shpejt do të kalojmë në mbështetjen e tyre. Çdokush do të mbështetet si masë e procedurave që ne do të vendosim. Shumë shpejt do dalim me një raport të përbashkët. Jemi duke punuar edhe me Ministrinë e financave për sigurimin e bujqësisë, sigurimin e fermave, sigurimin e të gjithë bizneseve të procesit të bujqësisë që ta kalojmë në një hap tjetër që nesër ne mos të kemi problematika të kësaj natyre. Jemi duke marrë modelin turk si model”, tha Salla.

Nga konferenca për shtyp, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi ndryshime në drejtim të garancisë sovrane për bujqit dhe blegtorët. Pjesë e skemës do të bëhen edhe bashkitë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos